E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incidentet, dy viktima në Gjirokastër

GJIROKASTER – Dy viktima janë shënuar si pasojë e ngjarjeve të rënda të ndodhura në Gjirokastër. 

Një burrë është goditur për vdekje nga demi i shtëpisë, ndërsa një grua u gjet e mbetur në ujërat e Vjosës, pasi kishte hyrë për t’u freskuar. Adriatik Shehu, banor i fshatit Kardhiq, u godit tri herë me brirë nga kafsha e shtëpisë, goditje që rezultuan fatale për jetën e tij. Nga ekspertiza ka rezultuar se 49-vjeçari kishte marrë goditje në zemër, një në gjoks dhe një tjetër në organet e brendshme. Fatkeqësia në familjen Shehu ishte paralajmëruar dhe disa ditë më parë, kur demi kishte plagosur djalin e viktimës, por ndërhyrja e shpejtë e bashkëfshatarëve e shpëtoi nga vdekja. Viktima e dytë ishte 38-vjeçarja Marjeta Shoshaj, 38 vjeçe nga fshati “Asim Zeneli” në Gjirokastër, e cila humbi jetën në orët e mbrëmjes të së premtes në rrjedhën e lumit Vjosa, në afërsi të Këlcyrës në Përmet. Gruaja, e cila punonte kameriere në një prej restoranteve pranë Vjosës, kishte shfaqur ankesa se nuk ndihej mirë. Sipas dëshmitarëve, ajo kishte dhimbje koke dhe shumë vapë. Për të freskuar fytyrën dhe duart, ajo gjeti momentin që në lokal nuk kishte shumë frekuentues dhe zbriti rreth 30 metra poshtë në rrjedhën e lumit Vjosa, në vendin e quajtur nga banorët “Guri i Zi”. Në momentin që do të kapërcente një rrjedhë uji mes dy gurëve, asaj i ka rrëshqitur këmba dhe ka rënë në ujë. Menjëherë e ka përpirë vala dhe më pas rrjedha thithëse e lumit në këtë vend që konsiderohet mjaft i rrezikshëm nga banorët e Këlcyrës. Pothuajse të gjithë skenën e ka parë një çoban nga lartësitë, i cili ndonëse vërshëlleu nuk arriti të dëgjohej nga askush. Pasi janë bërë merak, të zotët e lokalit ku punonte viktima, kanë dalë të kërkojnë atë në anë të lumit dhe menjëherë kanë lajmëruar policinë. Pas disa orë kërkimesh, kufoma e 38-vjeçares është gjetur nga punonjësit e lokalit ku ajo punonte rreth një kilometër poshtë, në stacionin e pompave të ujit të pijshëm në Këlcyrë. Policia nga ana e saj ka kryer të gjitha veprimet e duhura procedurale dhe grupi hetimor ka konstatuar se në trupin e viktimës nuk kishte shenja dhune apo plagë të ndryshme.        p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›