E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tri thika nënës kur po flinte gjumë

Djali i sëmurë mendor qëllon tri herë me thikë në gjumë nënën e tij. 

Dashamir Biçaku

Ngjarja ka ndodhur dje pasdite rreth orës 16:00, në rrugën e Elbasanit, në një pallat 7-katësh pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Ervin Meidani, rreth 28 vjeç, ka plagosur me thikë nënën e tij Katerina Mejdani, 50 vjeçe. Pasi plagosi nënën e tij, 28-vjeçari qëlloi veten disa herë me thikë. Ngjarja ka ndodhur në banesën e familjes Meidani në katin e katërt të pallatit nr.4, ku sipas burimeve të policisë, nënë e bir, të dy të sëmurë mendorë, kanë qenë duke qëndruar normalisht në banesë. Madje, sipas fqinjëve, por edhe referuar mjekëve në spital, gruaja ka qenë duke fjetur kur është sulmuar në mënyrë të papritur nga i biri. Ai qëlloi nënën e tij dy herë në shpinë dhe një herë në brinjë me një thikë. Sipas skemës paraprake të ngjarjes të ndërtuar nga policia, dyshohet se djali mund të ketë qenë duke kaluar ndonjë krizë të momentit të papritur, ç’ka ka bërë që ai të marrë thikën dhe të sulmojë nënën e tij, e cila nuk ka arritur ta kuptojë apo parandalojë sulmin. Pasi ka qëlluar të ëmën Katerina, Ervini ka përdorur thikën për të qëlluar veten një herë në bark. Të dy, nënë e bir, pas ngjarjes janë dërguar nga policia në Spitalin Ushtarak, ku ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore. Sipas mjekëve më rëndë paraqitet djali 28-vjeçar, i cili ka pësuar një plagë shqetësuese.
Ngjarja
Policia është njoftuar nga të afërm të familjes, të cilët janë telefonuar nga Elda, vajza e Katerinës, e cila aktualisht ndodhet në Turqi. Ajo ka telefonuar në shtëpi nënën e saj, por askush nuk i është përgjigjur telefonatave të përsëritura të saj. Kjo e ka detyruar vajzën t’iu telefonojë të afërmve të tjerë, duke u pohuar se ishte e shqetësuar, pasi askush nuk i përgjigjej në telefonin e shtëpisë. Të afërmit e Katerina Meidanit kanë mbërritur menjëherë në banesën e familjes, por dera ishte mbyllur. Ata menjëherë kanë lajmëruar policinë, e cila ka mundur të futet në banesë nëpërmjet ballkonit të fqinjëve të familjes Meidani. Këta edhe pse ndaheshin nga një mur tulle teke, duket se nuk kanë dëgjuar grindjen dhe të bërtiturat që ishin zhvilluar mes dy të plagosurve. Pasi policia ka hyrë në banesë të dy ata janë dërguar me urgjencë për në Spitalin Ushtarak, ku iu është dhënë ndihma e parë mjekësore. Sipas mjekëve, gruaja ka marrë plagë në shpinë dhe në brinjë, por që ka mundur ta kalojë rrezikun për jetën. I biri, sipas mjekëve, ndodhet në gjendje më të rëndë shëndetësore, për shkak se plaga e tij ishte më e thellë. Hetuesit kanë bllokuar në vendin e ngjarjes një thikë me gjurmë gjaku, e cila sipas policisë duhet të jetë arma e krimit. Policia nuk ka mundur të zbardhë plotësisht mekanizmin dhe shkakun e ngjarjes, për shkak se në banesë nuk ka qenë askush, veç dy të plagosurve. Katerina Meidani u ka pohuar mjekëve në spital se ka qenë në gjumë kur është goditur tri herë me thikë nga i biri. Këtë pistë po heton policia, e cila po mundohet të ndërtojë skenën e krimit për të sqaruar shkakun e ngjarjes.

Gruaja
Katerina Meidani prej disa vitesh vuante nga një sëmundje psikike dhe çrregullime e paqëndrueshmëri ka pasur edhe i biri, Ervini. Të dy ata jetonin bashkë me Eldën, vajzën tjetër të Katerinës. Kjo e fundit sipas banorëve të pallatit prej disa kohësh po kurohej në Turqi për shkak të problemeve shëndetësore. Ajo ka telefonuar dje në shtëpi dhe askush nuk i përgjigjej dhe kështu është detyruar të lajmërojë të afërmit e tjerë të saj.

Bashkëshorti
Agron Meidani, bashkëshorti i Katerinës, ka ndërruar jetë rreth katër vite më parë për shkak të një infarkti në zemër, duke lënë dy fëmijët dhe bashkëshorten e tij. Nga martesa e tyre inxhinieri dhe ish-dentistja kanë pasur dy fëmijë, Ervinin, i cili kishte braktisur studimet në një akademi ushtarake në Turqi. Fëmija e dytë ka qenë Elda, e cila sipas burimeve ka punuar në një prej institucioneve qeveritare në vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›