E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jalla Sali jalla, ku je t’ue na çue!

Ylli Dylgjeri 

Në autobusin e kreut të  PS-së vazhdon të qëndrojë varur tabela Mos i fol shoferit»! Në autobusin e kreut të PD-së nuk ka tabelë! Të dy po ecin bashkë në autostradën e demokraturës shqiptare. Ndryshimi i vetëm është se autobusi i kreut të PD-së nuk ka as timon, as busull. Prognozat janë të errëta. Raportet janë ngjethëse!
Edhe raporti i fundit na tronditi. OKB duke iu shtuar organizmave të tjerë ndërkombëtare, publikoi pasditen e djeshme fakte të frikshme të krimit. Raporti ishte tronditës për nga përmbajtja e tij. Lajmi që të shqetëson ishte: “Se gati e gjithë heroina që qarkullon në Evropë menaxhohet nga shqiptarët”?!
Por ishte i frikshëm edhe për shkak të gjuhës; “trafikantët shqiptarë të drogës janë rrezik për Bashkimin Evropian”. Kjo ishte gjuha e drejtpërdrejtë e monitoruesve të Organizatës për Kombet e Bashkuara.
Vetëm një ditë më parë, një tjetër organizatë ndërkombëtare, “Amnesty International” raportonte se në Shqipëri të drejtat e njeriut shkelen në mënyrë të rëndomtë.
Në të njëjtën ditë kryeministri i vendit pa iu dridhur qerpiku sulmon median në mënyrën më cinike me togfjalëshat mallkues: Shpirtkazmë dhe shpirtzi!
Pak javë më parë në Gërdec kishte ndodhur tragjedia më e madhe në vend pas vitit 1997, 28 të vdekur, mbi 300 të plagosur dhe dhjetëra shtëpi të shkatërruara. Një popull i traumatizuar!
Në të njëjtën kohë, gazeta më e madhe amerikane “New York Times” raportonte për korrupsion në nivelet më të larta!
Edhe USAID përmes organizatës IDRA, në sondazhin e publikuar një muaj më parë mbi perceptimin e shqiptarëve lidhur me korrupsionin, ka identifikuar se tashmë niveli i tij është 13 për qind më i lartë se në vitin 2005.
Në fund të vitit 2007, në vëzhgimin e raportit që “Transparency International Albania” publikoi, më poshtë Shqipërisë qëndronin vetëm dy vende: Kamboxhia dhe Kameruni.
Për të mos mbetur tek bota “që mund të na kenë halë në sy”, kemi edhe raportin e Kontrollit Shqiptar të Shtetit. Ai thotë qartë dhe saktë se administrata shqiptare nuk kënaqet vetëm me paratë e buxhetit të shtetit, por “fut duart” edhe te projektet e donatorëve të huaj.
Ç’po ndodh me këtë vend?
Berisha erdhi në pushtet në vitin 2005, pas premtimeve të forta për luftën që do t’i bënte korrupsionit. Ai premtoi se do shpartallonte bandat e krimit të organizuar. Ai premtoi se do të dënonte gjithkënd që i kish futur duart te paratë e popullit. Ai premtoi, premtoi... shumë. Por polli një hiç! Deri tani ka bërë shumë pak. Edhe pse megafonat e tij “këmbëngulin” se kanë shpartalluar më shumë se 1000 banda kriminelësh!?
Ai premtoi “zero tolerancë korrupsionit”. Por gjatë tre viteve të qeverisjes së tij, Ai e zeroi korrupsionin e të parëve dhe startoi me korrupsionin e “Fillimit të Ri”. Kjo nuk duket vetëm nga raportet, por edhe nga numri i të arrestuarve dhe i të liruarve. Përfshirja e të gjitha niveleve të administratës shtetërore në korrupsion është kthyer sot në gjithëpërfshirje në korrupsion.
Ai premtoi nismën “Shqipëria një euro”, por me gërdecërat që kanë ngjarë këtu, Shqipëria nuk mund të shitet as për “një grosh”. I vetmi shërbim që po funksionon çdo ditë, me dhimbje janë ceremonitë funerale.
Pasagjerëve shqiptarë që kanë hipur në këto autobusë edhe pas rritjes së fundit të çmimit të biletës, u mbetet vetëm të këndojnë: “Jalla shoferë jalla, ku jeni t’ue na çue”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›