E Shtunë, 31 Tetor 2026

Perëndia Apollon dhe ministri Pollo

Edmond Tupja 

Siç e shihni, në titullin e këtij shkrimi, i pari vjen Apolloni, perëndia  greke e dritës, kurse i dyti është zoti Pollo, ministri i Arsimit dhe i Shkencës;  kjo dukuri shpjegohet jo vetëm me vendosjen, sipas rendit alfabetik, të këtyre emrave, por edhe me faktin që i pari është shumë më i njohur se i dyti, figuron në fjalorë e enciklopedi të llojeve, epokave e vendeve të ndryshme, ndërsa i dyti është i pranishëm vetëm në listën e anëtarëve të kabinetit Berisha dhe në atë të drejtuesve të Partisë Demokratike të Reformuar. Gjithsesi, që ministri Pollo të mos mërzitet për këtë renditje, më duhet të pranoj se emri i tij ka fatin, krejt rastësisht, por vetëm formalisht, të jetë pjesë përbërëse e emrit të perëndisë greke të dritës. Them formalisht, sepse, në vend që të ishte ministri i dritës, i sqarimit, i ftillimit, i përmirësimit dhe i zhvillimeve pozitive të gjendjes në Arsimin e Lartë shqiptar, ai ka prirje përherë e më të theksuara të shfaqet si ministri i muzgut. Këtë tezë vjen dhe e mbështet edhe udhëzimi nr. 20, datë 09.05.2008 “Për veprimtarinë e personelit akademik në institucionet publike të Arsimit të Lartë” me firmën pikërisht të vetë zotit Pollo, drejtuar, ndër të tjera, edhe Universitetit të Tiranës, pra, Fakultetit të gjuhëve të huaja, rrjedhimisht edhe Departamentit të gjuhës frënge të këtij fakulteti, ku ende ushtroj profesionin e pedagogut.
Pas një leximi të vëmendshëm të udhëzimit në fjalë, m’u krijua bindja (jo vetëm mua, por edhe një pjese të mirë të kolegeve dhe kolegëve të mi) se, nëpërmjet tij, zoti Pollo po merr një nismë të rrezikshme për fatet e universiteteve tona dhe të personelit të tyre akademik. Duke parë me kujdes sesi parashtrohen e shpjegohen idetë e reja të zotit Pollo, më është krijuar bindja se universitetet shqiptare dhe personeli i tyre akademik po rikonceptohen në një mënyrë çuditërisht burokratike, gjë që, po të bëhet realitet, do t’u imponojë një herë e mirë pedagogëve të universiteteve tona (profesorë, profesorë të asociuar, doktorë e lektorë) statusin e thjeshtëzuar të nëpunësit të shtetit, domethënë atë që kanë edhe punonjësit e strukturave administrative në Republikën e sotme të Shqipërisë, duke harruar se universitetet nuk janë njësi administrative, por qendra edukimi, formimi profesional dhe kërkimesh në disa fusha të shkencave të zbatuara, të paktën në Tiranë. Në këtë kuadër, le t’i hedhim një sy vetëm pikës 14 të udhëzimit në fjalë: “Çdo anëtar i personelit akademik me kohë të plotë në IAL [Institucionet e Arsimit të Lartë – shënimi ynë] publike duhet të përmbushë detyrimet për kohën vjetore të punës me 192 ditë pune (1536 orë), përcaktuar kjo kohë sipas kërkesave në Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë, si dhe aktet nënligjore në zbatim të tij”. Një veprim i thjesht aritmetikor – pjesëtimi i numrit të orëve me atë të ditëve të punës – tregon se çdo pedagogu do t’i duhet të punojë tetë orë në ditë. Harrohet kështu themelorja: pedagogu nuk punon në një zyrë, ai punon në universitet, çka do të thotë se mbledh dije, i përpunon ato, ua përcjell studentëve duke u brumosur e zhvilluar atyre mendjen (sigurisht që po flas për pedagogët e mirëfilltë, me ndërgjegje intelektuale dhe profesionale); nga ana tjetër, ky “konvertim” i përpjekjeve mendore të pedagogut, i rrugëtimeve të tij analitike, është bërë në mënyrë krejt subjektiviste, madje nganjëherë edhe cinike. Për t’u bindur, mjafton të marrim “konvertimin” e një ore leksioni në 1,5 orë mësimore (pika 7 e udhëzimit); lidhur me këtë, dua ta pyes zotin Pollo: A ka dhënë ai ndonjëherë vërtet leksione në jetën e tij profesionale? Nëse po, sa energji, sa kohë ka shpenzuar për ta ndërtuar atë leksion? A është ulur çdo vit për ta plotësuar atë me të rejat e shkencës, a ka hyrë në Internet për këtë, a ka lexuar botime të freskëta, a ka këmbyer mendime me kolegë vendës e të huaj? A ka grumbulluar nga praktika e tij si pedagog përvojën e duhur për ta pasuruar leksionin e tij rregullisht? Apo ndoshta ka aftësi të mbinatyrshme si Apolloni, i cili hyri në moshën madhore vetëm shtatë ditë pasi lindi?
E di, shumëkush nga kolegët e mi do të tutej e nuk do t’i drejtonte ministrit të tij pyetje të tilla. Zoti na ruajt e bëftë që zoti Pollo të mos e ketë të zhvilluar ndjenjën e hakmarrjes aq sa e kishte Apolloni, i cili e rropi të gjallë Marsiasit që guxoi ta sfidonte si muzikant me fyellin e tij!
Sidoqoftë, do të kisha për zotin Pollo edhe një pyetje të fundit, e cila, prej kohësh, po më djeg buzët: Ç’gradë apo titull shkencor ka ai? Në fakt, faqja zyrtare e Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës në Internet, ashtu si ajo e Këshillit të Ministrave, më zhgënjeu në këtë drejtim: aty zbulova se zoti Pollo paska kryer vetëm dy vjet studime pasuniversitare në Universitetin e Vjenës me bursë të qeverisë austriake dhe se kurrë, të paktën deri në vitin 2001 – këtu mbaronte CV-a e tij – nuk paskej dhënë mësim në ndonjë universitet brenda apo jashtë shtetit. Gjithsesi, i rezervoj vetes të drejtën të ndryshoj mendim në këtë pikë nëse zbuloj që pas vitit 2001, zoti Pollo ka ushtruar profesionin e nderuar dhe njëherazi fatkeq të pedagogut dhe ka marrë titujt që i mungonin deri në vitin 2001.
Para se ta mbyll, do të isha shumë i lumtur sikur zoti Pollo të më shprehte mirënjohjen e tij, qoftë edhe të vakët, që unë po e përjetësoj në faqet e gazetës Panorama, ashtu si, toutes proportions gardées (thotë frëngu), e kanë përjetësuar Apollonin në mermer skulptorë të tillë të lashtësisë greke si Praksiteli, Kalamisi dhe Fidiasi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›