E Diel, 1 Nëntor 2026

"Njëri prej shpirtrave më të mirë të artit" Bekim Fehmiu nderohet nga aktorët dhe regjisorët



Bekim Fehmiu, 74 vjeç, është gjetur të martën pa jetë në banesën e tij në lagjen Zvezdara në Beograd. Me respekt dhe përkulje të thellë kanë folur dje të gjithë miqtë, aktorët dhe regjisorët kosovarë e serbë, për ikonën me famë botërore të filmit, Bekim Fehmiu. Bekim Fehmiu u gjet pa jetë në shtratin e tij në lagjen Zvezdara, pranë armës së regjistruar në emrin e tij. Bekim Fehmiu jetonte kohët e fundit jashtëzakonisht i tërhequr dhe nuk dilte shpesh në publik. Bekim Fehmiu, lindi më 1 qershor 1936 në Sarajevë. Fakultetin e Arteve të dramës, filmit, radios dhe televizionit e ka kryer në Beograd në vitin 1962, në klasën e profesorit Mate Milosheviq. Qysh si student filloi të aktronte në Teatrin Jugosllav. Në ish - Jugosllavi ka punuar me regjisorët dhe aktorët më të njohur. Ka luajtur kryesisht rolet kryesore në filmat "Roy" (për rolin e Halil Begut në këtë film ai u nderua në Festivalin e Pulës me çmimin Arena e Artë), "Rruga", "Vitet e nxehta", "Protesta", në serialin "Edukimi Special"...Karriera e tij e famshme ndërkombëtare filloi pas njërit prej filmave më të njohur në hapësirat e ish-Jugosllavisë, “Mbledhësit e puplave”, të regjisorit Aleksandër Sasha Petroviq, në vitin 1967. Bekim Fehmiu ka luajtur në këtë film rolin kryesor Beli Bora. "Mbledhësit e Puplave" fitoi dy çmime në Festivalin Ndërkombëtar në Kanë, ndërsa një vit më vonë (1968) u nominua edhe për çmimin Oskar. Pas këtij Festivali, Bekim Fehmiu nënshkroi kontratë bashkëpunimi me producentin italian Dino de Laurentis, për të xhiruar filma më pas në Evropë, SHBA, Amerikën e Jugut dhe në Azi. Edhe sot shikohen me dëshirë aktrimet e tij me famë botërore si "Odisea" (ku aktroi krah për krah me Irena Papasin), "Avanturistët" e Harold Robinsit, "Dezertori" (në të cilin luajti me Xhon Hjuston), "Leja për vrasje" (me partnere në film Ava Gardnerin), si dhe "Libera, dashuria ime", me Klaudia Kardinalen... Në shenjë proteste ndaj "histerisë antishqiptare", Bekim Fehmiu vendosi në vitin 1987 që të tërhiqet nga skena e aktrimit në hapësirat e ish - Jugosllavisë. Ndërsa rolin e fundit e ka luajtur në televizionin italian në filmin "Fëmija me emrin Jezus", i cili është emërtuar edhe në televizionin amerikan. Bekim Fehmiu ishte i martuar me Branka Petriqin dhe ishte baba i dy djemve, Hedonit dhe Uliksit. Në vitin 2001 (librin e ka shkruar që në vitin 1985) botoi librin autobiografik: "Shndritshëm dhe tmerrshëm".

Ngushëllimet nga aktorët dhe regjisorët
Vdekja e Bekim Fehmiut ka prekur thellë miqtë dhe kolegët e tij. Artistët kosovarë kanë ndezur 74 qirinj para Teatrit Kombëtar të Kosovës, në shenjë nderimi për jetën dhe veprën e tij. Ata e quajtën Fehmiun "udhërrëfyes për artistët".
-Ndërsa aktori Enver Petrovci me lot në sy tha se "lajmi për vdekjen e artistit të madh Bekim Fehmiu është lajmi më tragjik që i është kumtuar ndonjëherë".
-Regjisori Fadil Hysaj
Shpreh keqardhje që një artist kaq i madh nuk ka folur kurrë në gjuhën shqipe në ndonjë film në Kosovë, apo Shqipëri. Shumë të prekur ishin edhe kolegët dhe miqtë e tij në Beograd.
-Regjisori Gorçin Stojanoviq
Bekim Fehmiu është njëri prej shpirtrave më të mirë të artit" dhe "një prej aktorëve më të mëdhenj nga hapësirat e ish - Jugosllavisë".
-Aktori i njohur Dragan Nikoliq
Jam i befasuar me lajmin për vetëvrasjen e Bekim Fehmiut. Ai i ka dhënë këshilla shumë të rëndësishme për rolin e tij më të mirë në karrierën e begatshme.
-Branko Cvejiq
Bekimi na ka munguar shumë vitet e fundit, dhe ishte një artist i jashtëzakonshëm dhe i pavdekshëm.
-Regjisori Goran Markoviq
Kurrë nuk do të harrojë gjestin njerëzor të Bekimit. Edhe pse në atë kohë ai ishte tani më aktor me famë botërore, Bekim Fehmiu kishte pranuar që në filmin e parë të Goran Markoviqit të luante falas, me një angazhim sikur luante në projektin më të madh botëror...

Teatri Kombëtar i Kosovës nderime për artisin e skenës
Në orët e mbrëmjes komuniteti i artistëve ka ndezur qirinj për të nderuar jetën dhe veprën e ikonës së filmit Bekim Fehmiu. 74 qirinj janë ndezur para Teatrit Kombëtar të Kosovës në shenjë nderimi për jetën dhe veprën e ikonës së filmit Bekim Fehmiu, i cili ka ndërruar jetë tragjikisht. Komuniteti i artistëve e ka quajtur Fehmiun si udhërrëfyes për artistët. Aktori Enver Petrovci i papërmbajtur nga emocionet ka thënë se lajmi për vdekjen e artistit të madh Bekim Fehmiu është lajmi më tragjik që atij i është kumtuar ndonjëherë. Ndërkaq regjisorët Fadil Hysaj dhe Burbuqe Berisha kanë thënë se vdekja e një ikone në këtë mënyrë shihet si shenjë proteste dhe është tërheqje e vërejtjes për kujdes më të madh ndaj artistëve të mëdhenj që janë gjallë. Hysaj madje ka thënë se është për të ardhur keq që një artist kaq i madh sikurse Bekim Fehmiu nuk ka arritur asnjëherë të flasë në gjuhën shqipe në ndonjë film në Kosovë, apo Shqipëri. Në nderim të të ndjerit Fehmiu para Teatrit Kombëtar është hapur edhe libri i zisë. Një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohëve, Fehmiu u vetëvra në Beograd, në moshën 74 vjeçare.

MTKRS ngushëllime për humbjen e aktorit me origjinë shqiptare Bekim Fehmiut
Bota e artit mësoi me hidhërim lajmin e vdekjes së Bekim Fehmiut, njërit prej aktorëve më të shquar të hapësirës shqipfolëse të të gjitha kohërave. Ai ndërroi jetë dje, në banesën e tij në një lagje të Beogradit, ku jetonte me gruan dhe dy djemtë. Bekim Fehmiu ishte dhe mbetet një nga ikonat e artit skenik e atij kinematografik në ish-Jugosllavi edhe në arenën ndërkombëtare. Ai ka interpretuar përkrah emrave legjendarë të filmit botëror, si John Huston, Olivia de Havilland, Ava Gardner, Robert Shoë, Dirk Bogart, Sharl Aznavur, Irene Papas, etj. Bekim Fehmiu lindi në Sarajevë, në një nga familjet më të njohura Gjakovare, në 1 Qershor, në vitin 1936. Babai i tij, Ibrahim Fehmiu, ishte patriot i shquar dhe veprimtar i arsimit në gjuhën shqipe. Bekimi u bë i famshëm me filmin “Mbledhësit e Puplave”, në vitin 1966. Ai është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, i cili ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë dhe më gjere. Ai ka qenë një nga personalitetet që ka lënë gjurmë në kinematografinë ballkanike, por mbi të gjitha, ai është i madh për kontributin artistik në kinematografinë botërore. Ai është kthyer ne legjendë me rolet e tij në “Prova speciale”, “Odiseja”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”, “Dezertori”, të cilat përmenden si kryevepra. Nga filmat e para ka qenë “Vitet e nxehta”, “Protesta”, “Eskadrionet e partizanëve”, “Përgjithmonë Xhulia” dhe “Të kuq dhe të zinj”. Spektatori ynë ka pasur fatin ta njohë artin dhe talentin e këtij aktori të madh që në vitet 60-të, veçanërisht me filmin “Odisea” dhe me filmin “E dashura ime Libera” ku ai interpreton përkrah aktores së madhe Klaudia Kardinal. Bekim Fehmiu e ka vizituar Shqipërinë së pari në vitin 1972 ku u prit jashtëzakonisht ngrohtë nga komuniteti i artistëve dhe i kinematografisë shqiptare të asaj kohe. I ndjeshëm ndaj çështjes kombëtare ai nuk e ka fshehur kurrë mallin që kishte për Shqipërinë. Ai nuk rreshti së përmenduri me krenari për asnjë çast të qenurit Shqiptar, një krenari të cilët e demonstronte vazhdimisht me qëndrimin e tij intelektual dhe artistik në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Tani është i njohur fakti domethënës i vitit 1987, kur në mënyrë demonstrative ai braktisi shfaqjen “Madame Kolontine” të Anete Playel, ku luante Leninin dhe Stalinin, në teatrin Jugosllav të dramës, duke i dhënë lamtumirën aktivitetit artistik në Jugosllavi. Në vitin 2001 është botuar libri me kujtime i Bekim Fehmiut, “Shkëlqim dhe frikë”, në të cilin përshkruhet periudha që nga lindja e tij në Sarajevë, deri në vitin 1985, kur u pranua në teatrin e dramës së Prishtinës. Ikja e tij e parakohshme është një humbje e madhe për skenën e teatrit, artin kinematografik, për botën e artit në përgjithësi e për gjithë hapësirën mbarëshqiptare.

Teatri Kombëtar Shqiptar mesazh ngushëllimi familjes Fehmiu
Teatri Kombëtar Shqiptar mësoi me hidhërim për humbjen tragjike të një prej artistëve më të mëdhenj të aktrimit shqiptar Bekim Fehmiu. Me këtë rast Teatri Kombëtar dhe njerëzit e skenës dhe ekranit gjejnë rastin për të shprehur ngushëllimet e thella familjes së tij dhe kolegëve Kosovarë, për humbjen e këtij artisti të dimensioneve europiane.

17 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›