E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, zgjedhjet me qeveri të zgjeruar

Në Maqedoni po vazhdon debati për zgjedhje të parakohshme parlamentare në pako me zgjedhjet lokale, por me kushtëzime që vijnë nga opozita.

Partitë opozitare kanë deklaruar se janë gati të ballafaqohen në zgjedhje të parakohshme, mirëpo në asnjë rast që Qeveria aktuale të jetë organizatore e tyre.

Blloku opozitar midis LSDM dhe PDSH pritet të propozojë një Qeveri të zgjeruar, në rast të shpërbërjes së koalicionit aktual midis VMRO-DPMNE dhe BDI.

“Për LSDM si parti opozitare, zgjedhjet e parakohshme gjithmonë janë një opsion i hapur”, deklaroi deputeti i LSDM-së, Igor Ivanovski.

Partitë shqiptare të opozitës gjithashtu janë shprehur të gatshme për tu ballafaquar në zgjedhje të parakohshme. PDSH pritet të shqyrtojë situatën rreth zhvillimeve të fundit dhe skenarit për zgjedhje dhe se do të ketë qëndrim të qartë konkret.

Nga RDK bëjnë të ditur se gjithashtu janë në ndjekje sipas tyre të skenarëve të përgaditura nga partnerët e koalicionit për zgjedhje të parakohshme. RDK kohë më parë ka shpalosur propozimet e saj për daljen e vendit nga kriza për shkak të bllokimit të proceseve evrointegruese. Kjo parti në mes të propozimeve të saj ka edhe opsionin për një qeveri teknike apo të zgjeruar që do të organizonte zgjedhjet e parakohshme.

Mediat maqedonase pro opozitës kanë paralajmëruar se LSDM dhe partitë e tjera të bllokut opozitar asnjëherë nuk do të pranojnë zgjedhje të parakohshme që do të organizohen nga koalicioni aktual, ashtu sikur ato të qershorit të 2011.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›