Maqedoni,Ivanov dhe Frçkovski në balotazh

Gara e ngushtë presidenciale ka çuar në raundin e dytë dy kandidatët e partive më të mëdha maqedonase, Gjorgje Ivanov nga VMRO-DPMNE dhe Lubomir Frçkovski nga LSDM-ja, të cilët do të përballen mes tyre në finalen e pas dy javëve. Në bazë të rezultateve paraprake të Komisionit Shtetëror Zgjedhor të dhëna pasmesnate, kandidati i VMRO-DPMNE-së, Gjorgje Invanov i prinë garës presidenciale me mbi 80 mijë vota, në vend të dytë është kandidati i Lidhjes Social Demokrate (LSDM), Lubomir Frçkovski me mbi 50 mijë vota, pas tij radhitet kandidati i pavarur Lube Boshkovski, kandidati i Demokracisë së Re Imer Selmani, kandidati i BDI-së Agron Buxhaku, kandidati i PDSH-së Mirushe Hoxha dhe Nano Ruzhin nga PLD-ja. Rezultatet janë dhënë nga gjysma e materialeve të përpunuara zgjedhore, ndërsa gjatë orëve në vijim priten edhe rezultatet e para paraprake të marra nga 2976 qendra të votimit. Sipas informacioneve të fundit të KSHZ-së, pjesëmarrja e votuesve ka qenë 58, 16 për qind. Shtabi zgjedhor i VMRO-DPMNE pohon se kandidati për president Gjorge Ivanov udhëheq në garën për president në tërë Maqedoninë në raport 3:1 ndaj kandidatit tjetër. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, raportoi në orët e vona të së dielës se kandidati për president i VMRO-DPMNE-së, Gjorgje Ivanov, kishte mundur të siguronte saktëisht 82.329 vota ose 37,37%. Përsa i përket zgjedhjeve lokale, partia e Ali Ahmetit, Bashkimi Demokratik për Integrim ka shpallur fitore në nëntë komuna: Studeniçan; Zajaz; Osllomej; Tearcë; Zhelinë; Saraj; Dibër dhe Pllasnicë. Në komunat të tjera shqiptare ndërkaq, si në Tetovë, Strugë Gostivar, etj., sipas BDI-së, do të ketë balotazh. Sidoqoftë, këto janë rezultate jozyrtare dhe gjatë ditës priten rezultate edhe nga partitë të tjera, respektivisht nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor. Sipas zëdhënësit të Shtabit zgjedhor Vllatko Gjorçev për vendin e dytë pritet një betëjë e ashpër mes Fërçkovskit të LSDM-së dhe Boshkovskit si kandidat I pavarur. Deri tani Partitë maqedonase nuk janë deklaruar se do të kërkojnë mbështetjen e partive shqiptare, edhe pse para fillimit të fushatës u shtuan zërat për një marrëveshje mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe në këmbim të një pazari politik në kuadër të qeverisjes. Pas 14 ditëve do të zhvillohet raundi i dytë ku shkojnë Ivanov dhe Frçkovski, ndërsa ai kandidat do të fitojë i cili do të sigurojë më shumë vota me kusht që cenzusi i numrit të votuesve të jetë më së paku 40 për qind. Ndërkaq Partia Demokratike Shqiptare ose PDSH i ka prirë fitores në raundin e parë në Tetovë, por duke hyrë në balotazh edhe në katër komuna të tjera, duke mos përjashtuar edhe Strugën. BDI ka shënuar lëkundje duke humbur pozicionet e saja në Tetovë dhe Gostivar, por edhe në disa komuna tjera . Asnjë nga partitë shqiptare nuk ka arritur që të sfidojë bindshëm në komunat shqiptare. Tetova dhe Gostivari shkojnë për raundin e dytë. Në bazë të rezultateve paraprake të këtyre zgjedhjeve, BDI e cila udhëhoqi me shumicën e komunave shqiptare tashmë ka dobësuar pozicionet e saj në disa komuna, ku pretendohej se do të korrte fitore bindëse që në raundin e parë. Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi në një konferencë para mesnate ka theksuar se zgjedhjet e djeshme në Maqedoni kanë qenë të qeta, por sipas tij aspak demokratike. Zgjedhësit në Maqedoni votuan për presidentin e ri dhe përfaqësuesit e pushtetit local. Qendrat e votimit u hapën në orën 7 sipas orës lokale, pas një fundjave të karakterizuar nga reshje të dendura dëbore në veri dhe perëndim të vendit.