Prokurimet publike, biznesi kërkon reduktim të procedurave
Komuniteti i biznesit kërkoi dje reduktimin e procedurave për prokurimin publik, pasi sipas tyre, në disa raste janë parashikuar disa klauzola, të cilat rëndojnë mbi ta. Gjatë tryezës së rrumbullakët, me temë "Reduktimi i Procedurave të Prokurimit Publik", të organizuar nga Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, përfaqësuesit e biznesit kërkuan reduktim të procedurave dhe dokumentacionit të nevojshme për të marrë pjesë në prokurimet publike. Përfaqësuesit e biznesit kërkuan që në pjesëmarrjen e kompanive në prokurimet publike, të fitojë status vetëdeklarimi, çka do të thjeshtonte shumë dokumentet që kërkohen prej autoriteteve kontraktuese. Po ashtu, ata kërkuan që të mund të shihet mundësia që në vend të bilanceve për tre vitet e fundit, të paraqitet vetëm xhiroja vjetore e kompanisë. Biznesi i quajti "kërkesa të lodhshme" edhe disa dokumente, sikurse janë pasqyrat e sigurimeve shoqërore për të gjithë punonjësit dhe borderotë e kompanive. Ata kërkuan gjithashtu që për Autoritetet Kontraktuese të ketë një sallë ofertash, ku gjithçka të shpaloset në një monitor, për më shumë transparencë. Gjithashtu, një prej kërkesave të rëndësishme të tryezës, ishte dhënia e bonusit për produktet vendase të cilat janë të certifikuara. Duke filluar nga 1 janar 2009, prokurimet publike do të jenë të gjitha elektronike. Shtrirja e shërbimit on-line në të gjitha prokurimet publike, është vlerësuar si proces transparent dhe që i sjell buxhetit të shtetit rritjen me 15 për qind të kursimeve nga fondi limit i prokurimeve.
Financat nënshkruajnë marrëveshjen 15 milionë euro me Gjermaninë
Sistemi i kanalizimeve të ujërave të zeza në qytetin e Korçës do të rikonstruktohet tërësisht. Ministria e Financave nënshkroi dje një marrëveshje nëpërmjet së cilës do të akordohen 15 milionë euro për financimin e këtij projekti. Projekti quhet “Sistemi i kanalizimeve të ujërave të zeza” dhe ka në qendër të tij qytetin e Korçës. Marrëveshja parashikon ndërtimin e një impianti për përpunimin e ujërave të zeza, ndërtimin e kolektorëve për reshjet dhe zëvendësimin e rrjetit të kanalizimeve. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje i hapet rruga lidhjes së marrëveshjes së huas me një bankë gjermane e quajtur “KFW”, e cila do të akordojë rreth 15 milionë euro për financimin e këtij projekti.
Anijet që regjistrohen për herë të parë përjashtohen nga taksa doganore dhe TVSH-ja
Përjashtohen nga pagesa e TVSH-së dhe e taksës doganore mjetet që regjistrohen për herë të parë në flotën tregtare dhe atë të peshkimit të Republikës së Shqipërisë. Ndryshimi i propozuar nga MPPTT-ja është në kuadër të masave lehtësuese që qeveria po ndërmerr në ndihmë të biznesit privat. Kjo i hap rrugë rritjes së investimit në blerjen e anijeve me vit-prodhimi më të ri ose për të rritur standardet teknike të anijeve. Dje Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi projektligjin, “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 7928, datë 27.04.1995 për tatimin mbi vlerën e shtuar” të ndryshuar. Pjesë e këtyre ndryshimeve është edhe përjashtimi nga pagesa e TVSH-së të mjeteve që regjistrohen për herë të parë në flotën tregtare dhe atë të peshkimit të Republikës së Shqipërisë. MPPTT-ja pas reformës në fushën e licencimit ndërmerr edhe këtë masë tjetër lehtësuese, e cila do të ul ndjeshëm barrën fiskale të biznesit në fushën e detarisë duke bërë të mundur hyrjen në flotën tregtare shqiptare të anijeve më të reja. Kjo masë do të ndikojë gjithashtu në rritjen e numrit të anijeve të regjistruara me flamur Shqiptar si dhe në rritjen e tonazhit të përgjithshëm të flotës tonë detare duke e bërë vendin tonë më aktiv në Organizatën Detare Ndërkombëtare IMO.
8 Tetor 2008