E Diel, 1 Nëntor 2026

Numri i personave që duhet të sigurojnë biznesi i vogël



Laureta Rryçi

Tiranë - Qeveria përcakton numrin e personave që duhet të sigurojnë çdo lloj biznesi që cilësohet i vogël. Tashmë, Vendimi i Qeverisë është pjesë e Fletores Zyrtare të fundit dhe i mbetet vetëm dy javë kohë për të nisur zbatimin e tij. Të parët që do të preken janë të gjithë qytetarët që merren me aktivitetin e biznesit të vogël. Gazeta “Albania” ka mundur të sigurojë tabelën e plotë për secilin aktivitet që përfshihet në këtë kategori dhe po e boton atë në numrin e sotëm. Vetëm pak kohë më parë, me një vendim të posaçëm qeveria ndryshoi shumën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore sipas kategorive të përcaktuara. Vendimi më i fundit i qeverisë vendos tarifat e reja që do të paguajnë të punësuarit në shtet për sigurimet. Qeveria përcakton kontributin minimal që do të paguajnë të gjithë shtetasit sipas degëve të sigurimeve shoqërore. Sipas vendimit të qeverisë shuma minimale mujore e kontributeve, për të gjitha degët e sigurimit, për periudhën nga data 1.7.2008 e në vazhdim, do të jetë 4 879 (katër mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e nëntë) lekë. Ligji i ri përcakton pagesën e kontributeve sipas disa afateve që përcaktohen në ligj.
Kategoritë
Vendimi përcakton të gjitha kategoritë që do të paguajnë sigurimet shëndetësore. Në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave u vendos për të gjitha kategoritë që do të sigurohen, procedurat që do të ndiqen dhe mënyra e pagesës së kontributeve. Kështu, disa kategori punonjësish janë të detyruar të paguajnë sigurimet shëndetësore dhe pjesë e këtij sistemi janë rreth 11 kategori punonjësish. Në bazë të vendimit më të fundit të qeverisë pjesë e mbrojtjes dhe e sigurimit të detyrueshëm janë të punësuarit me mandat kushtetues, të punësuarit e emëruar, të punësuarit me kontratë pune, pa afat ose me afat më shumë se një muaj, që punojnë me kohë, të plotë ose të pjesshme. Kjo kategori duhet të plotësojë më shumë se 87 orë në muaj, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme për sëmundje, barrë-lindje, pensione, aksidente në punë e sëmundje profesionale, papunësinë dhe sigurimin shëndetësor. Po kështu, të punësuarit me kontratë pune, me ose pa afat, por me kohë të pjesshme, që zgjat më pak se 87 orë në muaj, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme, por jo më pak se niveli minimal, për barrë-lindje, pensione, aksidente në punë e sëmundje profesionale dhe në sigurimin shëndetësor. Në kategoritë që do të përfitojnë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore nga shteti do të përfshihen të gjithë të
të punësuarit me kontratë pune, me afat më pak se një javë gjatë vitit, me kohë të plotë ose të pjesshme ditore, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme, në nivelin minimal, për aksidente në punë, sëmundje profesionale dhe sigurim shëndetësor.
Vetëpunësimi
Pjesë e përfshirjes në pagesën e të siguruarve janë edhe pronarët që ushtrojnë funksione drejtuese në shoqëri, si administratorë apo çdo funksion tjetër, të cilët, si të punësuar pranë shoqërisë, sigurohen në mënyrë të detyrueshme për sëmundje, barrë-lindje, pensione, aksidente në punë e sëmundje profesionale, papunësinë dhe sigurim shëndetësor. Pjesë e sigurimeve të detyrueshme bëhen edhe personat fizikë, të vetëpunësuar, që ushtrojnë veprimtari ekonomike, pavarësisht nga kohëzgjatja e saj, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme për barrë-lindje, pensione dhe sigurim shëndetësor. Të mbrojtur nga shteti për çdo rast fatkeqësie apo pjesë e atyre që janë të detyruar t’iu paguhen sigurimet shëndetësore dhe shoqërore janë edhe të vetëpunësuarit në bujqësi, të aftë për punë, që kanë mbushur moshën 16 vjeç, deri në moshën për pensionit. Kjo kategori përjashtohet nga rregullorja kur janë të siguruar nga punësimi në sektorë të tjerë dhe banojnë në të njëjtin nënqark, ku kanë tokën në pronësi ose në përdorim, dhe zhvillojnë veprimtari, bujqësore e blegtorale, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme, për barrë-lindje, për pensione dhe për sigurim shëndetësor. Mbrojtja dhe sigurimi i detyrueshëm bëhet kur nuk janë të siguruar nga punësimi në sektorë të tjerë, banojnë në fshat dhe zhvillojnë veprimtari, bujqësore e blegtorale, edhe nëse kanë tokë, në pronësi ose në përdorim, me vendndodhje në nënqarkun fqinj, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme, për barrë-lindje, për pensione dhe për sigurim shëndetësor.

8 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›