Maqedonia do t’i përgjigjet mbrojtjes greke në GJND

Nis sot në Hagë faza e dytë e seancës lidhur me padinë e Maqedonisë kundër Greqisë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND).
Ekipi i ekspertëve dhe mbrojtësve juridik nga Shkup do të ketë mundësinë sot që ti përgjigjen mbrojtjes greke lidhur me argumentet e saj për Marrëveshjen e përkohshme të nënshkruar midis dy vendeve për çështjen e emrit në vitin 1995.
Seanca publike lidhur me këtë çështje fjalën përfundimtare do ta ketë më 30 mars, me fjalën përfundimtare të palës greke.
Në fazën e parë, pala maqedonase shpalosi argumentet e saj ku kërkoi nga GJND të gjykojë në favor të tyre duke e ndëshkuar Greqinë për shkeljen e nenit 11 të Marrëveshjes së përkohshme, me rastin e bllokimit të anëtarësimit të vendit në NATO në Samitin e Bukureshtit në vitin 2008 me emrin e referencës së përkohshme FYROM. Gjithashtu kërkohet që Athina zyrtare menjëherë të respektojë detyrimet që ka ndaj kësaj marrëveshje.
Greqia nga ana tjetër, u prezantua me kundër akuza se Maqedonia është ajo e cila ka shkelur Marrëveshjen e përkohshme, për shkak të përdorimit të simboleve historike dhe kulturore, nëpërmjet një procesi të motivuar politikisht.
Athina zyrtare kërkon që GJND të shpallet si jo kompetent lidhur me këtë proces, për shkak se aktgjykimi në këtë rast nuk do të kishte asnjë efekt, pasi që vendimi i NATO-s atëherë ishte sjellë nga NATO dhe jo nga Greqia.
Autoritetet e Maqedonisë aplikacionin para GJND-së në Hagë e dorëzuan në nëntor të vitit 2008. Në këtë proces pala gjykuese duhet të vendos se Greqia a ka shkelur nenin 11 të Marrëveshjes së përkohshme për emrin midis Athinës dhe Shkupit në rastin e bllokimit të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO në Samitin e Bukureshtit në vitin 2008.