E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedonia drejt zgjedhjeve

Partia në pushtet e Maqedonisë, VMRO-DPMNE, ka vendosur të mbështesë propozimin e partisë shqiptare në opozitë, Bashkimi Demokratik për Integrim, për të mbajtur zgjedhje të parakohshme. Kryeministri i vendit, Nikolla Gruevski, zhvilloi dje pasdite një takim me kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçin, i cili deklaroi gjithashtu gatishmërinë për të mbajtur zgjedhje të parakohshme. “Komiteti ekzekutiv do t’i bëjë thirrje komitetit qendror të partisë, që të pranojë iniciativën për shpërbërjen e parlamentit”, - thuhej në një deklaratë të VMRO-DPMNE-së. Kjo iniciativë u bashkëngjit në parlament të martën nga partia shqiptare në opozitë, Bashkimi Demokratik për Integrim. Edhe pse partitë e tjera të opozitës e kanë kundërshtuar hapur këtë propozim, VMRO-DPMNE dhe BDI kanë vende të mjaftueshme në parlament për të siguruar aprovimin e kësaj iniciative. Nga ana tjetër, pas përfundimit të takimit me kryeministrin Nikolla Gruevski, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, deklaroi se është i gatshëm që të dalë në garën e zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoni, pas nismës së bërë për shpërndarjen e parlamentit.

Ai theksoi se në takimin me kryeministrin bisedoi për zhvillimet aktuale politike në Maqedoni dhe për bllokimin e institucioneve pas kërkesës për shpërndarje të Parlamentit dhe organizim të zgjedhjeve të parakohshme, të bëra nga BDI dhe të mbështetura nga VMRO-DPMNE. “Pas gjithë këtij marketingu politik që bën Ali Ahmeti dhe partia e tij, unë sonte do t’i propozoj kryesisë së PDSH-së që t’i përgjigjet kësaj kërkese për mejdan politik. Ne jemi parti demokratike që pranojmë matje të tilla të forcave. Kjo ishte vazhdimësi e politikës antikombëtare të BDI-së dhe Ali Ahmetit”, theksoi Thaçi. Ai shtoi se do të vazhdojnë grupet punuese të PDSH-së dhe VMRO-DPMNE-së për zgjidhjen e gjashtë pikave të bëra nga partia e tyre. Nëse do të shpërbëhet parlamenti, media maqedonase raporton se zgjedhjet mund të mbahen në mes të qershorit. Maqedonia ndodhet në një situatë delikate politike pas vetos së Greqisë, ndaj anëtarësimit të vendit në NATO, për shkak të moszgjidhjes së mosmarrëveshjes për emrin kushtetues me Athinën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›