Nga 1 korriku, qeveria do të nisë rritjen e pagave dhe të pensioneve. Bëhet fjalë për rritje minimale në masën 5 për qind për nivelet më të larta të pagave dhe pensioneve. Zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, në një intervistë të dhënë për gazetën “Korrieri”, shpjegon se rritja minimale e niveleve më të larta të pagave dhe pensioneve është më lartë se inflacioni. Po ashtu, sipas Shehut, rritja e pagave do të vazhdojë të jetë e përqendruar në sektorët prioritarë, arsimi dhe shëndetësia, ku rritja do të jetë në nivelet 15 deri në 25 për qind. Nga ana e qeverisë, e njëjta skemë do të ndiqet edhe në rritjen e pensioneve, ku rritjen më të lartë do të kenë pensionet e ulëta. “Qeveria do të vazhdojë politikën e rritjes së pagave dhe pensioneve dhe jo të indeksimit, sepse ky i fundit nënkupton rritjen në masën e inflacionit, kurse rritjet minimale qoftë për pensionet, ashtu dhe pagat më të larta do të jenë 5 për qind, e cila është më shumë sesa inflacioni. Po ashtu do të vazhdojë përmbushja e objektivit të shpallur për dyfishim pagash të niveleve të ulëta, ashtu siç është deklaruar. Kjo nënkupton një rritje të paktën 15 për qind për punonjësit e arsimit dhe një rritje nga 15 për qind deri në 25 për qind për punonjësit e shëndetësisë, pasi historikisht ky sektor ka pasur paga më të ulëta se arsimi, në mënyrë që të arrihet niveli i arsimit”, sqaron Shehu. Sipas tij, përveç këtyre dy sektorëve që janë të deklaruar si prioritarë, edhe pagat e tjera të nivelit të mesëm do të kenë një rritje nga 5 deri në 15 për qind. Kurse pagat e nivelit të lartë do të kenë një indeksim që parashikohet të jetë 5 për qind. Por nga 1 korriku, edhe pensionistët do të kenë më shumë lekë në duart e tyre. Sipas zëvendësministrit të Financave, Sherefedin Shehu, edhe për pensionet do të ndiqet e njëjta strategji. “Jo më pak se 10 për qind do të jetë rritja e pensioneve të fshatit, për shkak se synohet të arrihet niveli i afërt i dyfishimit, pasi kemi 5 mijë lekë përfitimin minimal të pensionistëve të fshatit. Për sa i përket rritjes së pensionit, për pensionistët e qytetit do të ketë rritje në masën 5 për qind për pensionet e larta, kurse grupet e tjera, duke ruajtur një përshkallëzim, do të përfitojnë rritje nga 5 deri në 12 për qind. Në sektorin e pensioneve ekziston një problem, ku nga rritja e pensioneve minimale mbi 10 mijë lekë është ngushtuar diferenca mes pensionistëve dhe ne kërkojmë të ruajmë një hierarki”, ka vijuar Shehu, duke shtuar se përfundimisht rritja minimale do të jetë 5 për qind për nivelet më të larta të pagave dhe pensioneve.
50 milionë dollarë për pagat dhe pensionit
Për zbatimin e politikës së rritjes së pagave dhe pensioneve qeveria do të akordojë një fond prej 50 milionë dollarësh, ose e thënë ndryshe, do të përdorë fondin e kontingjencës së pagave dhe pensioneve. Por nga ana tjetër, Shehu garanton se fatura e Gërdecit ka prekur fondin e kontingjencës së pagave dhe pensioneve. Kurse për sa i përket nivelit të inflacionit, ai sqaron se është i moderuar e nuk përbën shqetësim për indeksimin. “Inflacioni është i moderuar dhe nuk është aspak shqetësues në kuptimin e indeksimit, sepse në vendet e zhvilluara nivele të tillë inflacioni as nuk indeksohen, sepse rritja ekonomike është më e lartë sesa rritja e inflacionit. Kjo nuk është shqetësuese, pasi inflacioni nuk është i lartë”, thotë Shehu. Sakaq, zëvendësministri i Financave saktëson se për mbulimin e faturës së Gërdecit nuk është prekur kontingjenca e pagave, ajo është e veçantë dhe kap vlerën e 4.6 miliardë. “Për të mbuluar shpenzimet e Gërdecit është prekur kontingjenca e Kuvendit apo kontingjenca pa destinacion për të mbuluar risqe dhe të papritura. Pra, ajo është prekur 600 milionë lekë, që për momentin aktual është kompensuar disa herë, pasi ne kemi 4.3 miliardë lekë tejkalimin e të ardhurave në 3-mujorin e parë”, përfundon Shehu.