AMGjV protestë në Rrogozhinë

VLORË - Duke qenë se krerët e Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës janë transferuar tanimë nga Vlora drejt burgut të Rrogozhinës, sot një protestë do të pozicionohet pranë qelive të burgut ku ndodhen Sadrit Danaj, Besnik Lule dhe Eneid Hamzai. Lajmin e jep për gazetën një nga përfaqësueset e AMGJV-së, Era Danaj, bashkëshortja e Sadrit Danaj, njëkohësisht aktiviste e kësaj lëvizjeje, sipas së cilës, ditën e sotme një numër i madh personash do t’i bashkohet një proteste në Rrogozhinë, e më pas të gjithë do të transferohen në qytetin e Vlorës, ku do t’i thonë sërish “jo” “Petroliferës” dhe TEC-it dhe “po” lirisë së aleancistëve. Era thotë se arrestimi i treshes një javë më parë, teksa u bllokua rruga që të çon në skelë të Vlorës është i padrejtë, madje i kundërligjshëm. “Arrestimi i tyre është i qëllimtë nga ana e drejtësisë, ndërsa transferimi i tyre nga dhomat e paraburgimit në Komisariatin e Vlorës drejt burgut të Rrogozhinës është një mjet për të larguar vëmendjen nga Vlora”, tha Era Danaj për “Korrierin”. Ajo vazhdon të shpjegojë se, përveç ndalimit të kundraligjshëm, në kundërshti të plotë me ligjin është edhe gjykimi i Danajt, Lules dhe Hamzait deri më tani. “Kjo, pasi Konventa Ndërkombëtare e Ahrusit, në nenin 3 të saj, parashikon lehtësime për ambientalistët, në rast se këta kryejnë qoftë edhe kundërvajtje penale”, sqaron Danaj, duke shtuar se para së gjithash, dy çështjet për të cilat akuzohen ambientalistët edhe sipas Kodit tonë Penal, konsiderohen kundërvajtje e jo vepra penale. Pra, në këtë mënyrë, atyre nuk duhej t’u jepej fare masa e sigurisë “arrest me burg”. Sadrit Danaj, Besnik Lule dhe Eneid Hamzai akuzohen për “organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme”, si dhe për “bllokim të qarkullimit të automjeteve”. Era Danaj deklaroi dhe një herë. se mbi ta rëndojnë akuza, të cilat aleancistët nuk i kanë konsumuar.