Ministritë refuzojnë të kontrollohen

Strukturat e auditit të brendshëm në administratën shtetërore nuk janë funksionale. Edhe pse ministritë përcaktojnë programet vjetore për auditin e institucioneve të tyre të linjës, ato rezultojnë të pakontrolluara për një periudhë dyvjeçare. Shqetësimi është ngritur nga vetë kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Robert Çeku, në Komisionin parlamentar të Ekonomisë. Sipas Çekut, gjatë kontrollit që është ushtruar për vlerësimin e veprimtarisë së auditit të brendshëm, është konstatuar se disa ministri nuk kanë kryer kontroll për një periudhë dyvjeçare apo dhe zvarritje të kontrolleve deri në 4 vjet. Konkretisht, gjatë vitit 2007, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka vlerësuar veprimtarinë e auditit të brendshëm me Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Brendshëm, Ministrinë e Kulturës, institucione të cilat vlerësohen nga KLSH-ja me auditimin e subjekteve të pakontrolluara për një periudhë mesatarisht 2 vjet. Por nuk mbaron me kaq. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, është konstatuar se për vitet 2005 dhe 2006, në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës auditi i brendshëm ka funksionuar në varësi të sekretarëve të përgjithshëm, ndërkohë që ligji autorizon përgjegjës për auditin e brendshëm ministrin. Po ashtu, mangësi të tjera janë konstatuar në strukturat e Auditit të Brendshëm, ku në Ministrinë e Shëndetësisë për dy vjet rresht është punuar me 4 auditues më pak. Kurse në Ministrinë e Brendshme është konstatuar se për vitin 2006, nga 63 punonjësit e rekrutuar në strukturat e Auditit të Brendshëm, vetëm 18 prej tyre ishin të kualifikuar si auditues publikë. Gjithashtu, strukturat në varësi të kësaj ministrie kanë kryer audite për periudha kohore nga 3 deri në 4 vjet, duke mos ruajtur frekuencën e kontrollit deri në dy vjet për një auditim të plotë. Por, nga ana tjetër, edhe pse nga ana e këtyre ministrive janë hartuar programet për kryerjen e auditit, është konstatuar mosrealizim kontrolli. Në Ministrinë e Shëndetësisë për vitin 2006 auditimi i plotë është realizuar vetëm 82 për qind. Me mosrealizim kontrollesh paraqiten edhe prefekturat, ku në Prefekturën e Durrësit ka 15 subjekte të paaudituara, në Prefekturën e Tiranës 14 subjekte, të Elbasanit 10, Prefekturën e Beratit 9 etj. Pra, Ministria e Brendshëm kishte parashikuar të kontrollonte 440 subjekte, ndërkohë që kanë mbetur pa audituar 147 subjekte.