E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ironi shqiptare

Prurjet e emigrantëve, 947 milionë euro
Prurjet e emigrantëve vazhdojnë të shënojnë rritje, të cilat janë kthyer në burimin kryesor të jetesës së shqiptarëve. Sipas Bankës së Shqipërisë, transfertat korrente si çdo vit marrin formë prej prurjeve nga emigrantët. Këto të fundit përfaqësojnë burimin kryesor të financimit të deficitit në tregti mallrash dhe shërbimesh. Gjatë vitit 2007 janë vlerësuar në nivelin 947 milionë eurove, me një rritje të lehtë vjetore prej 1.3 për qindësh, ose 12 për qind e PBB-së. Kontributi i këtyre dërgesave në zbutjen e deficitit tregtar llogaritet në rreth 44 për qind, me një rënie me 11 pikë përqindje kundrejt vitit të kaluar. Prurjet nga emigrantët janë shoqëruar edhe nga transferta të tjera private dhe shtetërore, duke regjistruar 1 miliard euro transferta neto për vitin 2007.
Shpenzimet në udhëtimet jashtë arrijnë 923 milionë euro
Edhe pse viti 2007 mbyllet me rritje të të ardhurave nga turizmi, dhe kjo kryesisht nga vizitat e emigrantëve dhe të huajve, nga ana tjetër vendasit kanë preferuar të zhvillojnë turizëm jashtë vendit. Në sektorin e shërbimeve, shpenzimet e shqiptarëve për udhëtime jashtë gjatë vitit 2007 kanë shënuar rritje. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë pohojnë se shpenzimet e shqiptarëve në udhëtimet jashtë shtetit kanë arritur në rreth 923 milionë euro. Vëllimi i shpenzimeve për udhëtime për vitin 2007, vlerësohet rreth 20 për qind më i lartë krahasuar me një vit më parë. Pasojë kjo vetëm e rritjes së numrit të udhëtarëve me 48 për qind, ndërkohë që koeficientet vlerësues të kohëqëndrimit dhe të shpenzimeve mesatare ditore kanë pësuar një rënie të lehtë. Rritja vjetore e të ardhurave nga turizmi vlerësohet në rreth 24 për qind. Kjo rritje është ndikuar kryesisht nga rritja e numrit të shtetasve të huaj dhe të emigrantëve (62 për qind) që kanë vizituar vendin, si edhe nga rritja e shpenzimeve ditore, ndërkohë që ditëqëndrimi mesatar vlerësohet në rënie të lehtë. Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë këtij viti vihet re një përmirësim i bilancit të tregtisë së shërbimeve në pothuaj të gjithë sektorët. Shqipëria vazhdon të jetë importuese neto e shërbimeve të transportit dhe të sigurimit të mallrave, fenomen ky që lidhet natyrshëm me rritjen e importeve të mallrave dhe që ndikon drejtpërdrejt në deficitin e tregtisë së shërbimeve. Ritme të shpejta zhvillimi vihen re edhe në shërbimet financiare, të komunikacionit dhe ato të biznesit, duke shfaqur potenciale konkurruese të vendit tonë në tregtinë ndërkombëtare të shërbimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›