Jo zgjedhje serbe

Zgjedhjet serbe të 11 majit nuk mund të mbahen në territorin e Kosovës. Ishte ky qëndrimi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, i bërë publik nga zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksander Ivanko. “Zgjedhjet serbe janë në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe nuk kanë vlefshmëri ligjore”, - tha Ivanko. Ai theksoi se i vetmi autoritet për organizimin e zgjedhjeve lokale në Kosovë është UNMIK-u, ndaj nëse rezultatet nuk konfirmohen, ato nuk mund të jenë të vlefshme. Ivanko konfirmoi se UNMIK-u ka marrë një kërkesë nga ministri serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiç, lidhur me organizimin e procesit elektoral të serbëve në Kosovë, dhe se autoritetet serbe janë në pritje të një përgjigjeje. Zëdhënësi Ivanko tha se UNMIK-u deri në fund të javës do t’i kthejë përgjigjen ministrit serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiç, lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve lokale dhe parlamentare të Serbisë. “Përgjigjja në letër do të jetë e tillë, që ne do ta bëjmë të qartë se Serbia asnjëherë nuk ka organizuar zgjedhje lokale në Kosovë, siç nënkuptohet në letrën e Samarxhiçit. Gjithashtu, do ta bëjmë të qartë se, nëse Serbia vendos t'i mbajë zgjedhjet lokale në Kosovë, kjo do të jetë shkelje e Rezolutës 1244, e Urdhëresës Ekzekutive të shefit të UNMIK-ut dhe nuk do të kenë fuqi ligjore. Ky është qëndrimi ynë i tanishëm”, tha ai. Por ai la të hapur mundësinë që UNMIK-u t’i lejojë Serbisë që më 11 maj të mbajë zgjedhjet parlamentare në Kosovë, të cilat ajo i ka mbajtur edhe më herët. “Zgjedhjet parlamentare janë çështje tjetër. Ne po mendojmë që me gjasë ta kemi përgjigjen e mëparshme, se nuk i ndihmojmë as nuk i pengojmë zgjedhjet parlamentare të Serbisë, por ende nuk mund ta them me saktësi qëndrimin tonë, pasi ende nuk i kemi kthyer përgjigjen Serbisë”, tha zëdhënësi i UNMIK-ut. Ai shfaqi bindjen, se Beogradi zyrtar do të respektojë vendimin e UNMIK-ut, për të mos lejuar hapjen e kutive të votimit për zgjedhjet lokale të Serbisë. Autoritetet e Beogradit kanë vendosur që në të njëjtën ditë të mbajnë zgjedhjet lokale dhe ato të parakohshme parlamentare. Këto të fundit u thirrën nga presidenti Boris Tadiç, pas krizës qeveritare në Serbi, që pasoi shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt. Udhëheqësit kosovarë kanë kundërshtuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Ata kanë thënë se Kosova nuk mund të shërbejë si bazë zgjedhore për ndërtimin e institucioneve të Serbisë. Të martën, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se ai është i bindur se zgjedhjet serbe nuk do të mbahen në Kosovë.