E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohen 21 barna të rimbursueshme

TIRANË - Edhe pse Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor deklaron vazhdimisht se buxheti për blerjen e barnave të rimbursueshëm është i pamjaftueshëm, dje gjatë mbledhjes së Këshillit Administrativ të ISKSH-së u diskutua lidhur me alternativat e reja që propozohen t’i shtohen listës. Barnat e futura në listë janë 21 dhe kanë të bëjnë kryesisht me sëmundjet e diabetit, zemrës, sklerozës multiple etj., që janë në fakt sëmundjet që prekin më së shumti popullatën. Nga ana e saj, Elvana Hana, drejtoresha e ISKSH-së, e konsideroi pozitive futjen e alternativave të barnave, por sipas saj duhet të mbahet gjithmonë parasysh buxheti përkatës që ka ISKSH-ja, i cili është i kufizuar. Ajo kërkoi të vihet theksi në këtë pikë për çështjen e fondeve, në mënyrë që ajo listë të bëhet funksionale. “Ajo është një listë e hartuar me prioritet, ka barna mjaft të shtrenjta dhe mundëson një zgjedhje më shumë për pacientët. Në këtë listë trajtohen edhe sëmundje që janë tëe patrajtuara deri tani nga lista e barnave, siç është hemofilia p.sh”, tha drejtoresha e ISKSH-së. Anëtarët e bordit të ISKSH-së që kryesohet nga ministri i Shëndetësisë, theksuan se futja e këtyre alternativave shmang monopolet e barnave dhe është një hap para drejt konkurrencës. Debati u fokusua tek disa barna, më konkretisht insulinat (4 variante që ishin propozuar nga komisioni për t’u futur në listë)  si dhe kombinimi i Valsartan +Amlodipin 160/5 mg. Kostoja financiare vjetore e insulinave është 110 milionë lekë të reja, ndërsa e kombinimit Valsartan +Amlodipin  është 25 milionë lekë. Me insistimin e ministrit të Shëndetësisë, Nard Ndoka, bordi pranoi futjen e këtyre barnave, por duke u saktësuar që do të ketë një monitorim të fortë për të mbajtur kostot nën kontroll. Drejtoresha e ISKSH-së shtroi në bord çështjen e listës alternative, e cila tashmë është hartuar nga ISKSH-ja në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, duke e konsideruar mjaft të vlefshme për pacientët. Ministri i Shëndetësisë u shpreh se do të përpiqet që të paraqesë në qeveri këtë kërkesë për t’u siguruar këto fonde.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›