E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teheran, arrestime në radhët e protestuesve

Protestat në Teheran vazhduan edhe gjatë ditës së djeshme, ndërkohë që u raportua se numri i të arrestuarve ishte të paktën 170, 10 prej të cilëve të konsideruar nga autoritetet si "truri" i revoltës së opozitës reformiste kundër Ahmadinexhadit, ndërkohë që 50 të tjerë u cilësuan si organizatorë. Shifrën e të ndaluarve e bëri zyrtare shefi i policisë së kryeqytetit iranian, sipas të cilit këta individë "kishin programuar të kryenin veprime destabilizuese". Dëshmitarët okularë treguan se policia nuk kurseu as të shtënat me armë zjarri në rrugën "Motahari", me qëllim që t‘i shpërndante.

Musavi kërkon anulimin e zgjedhjeve

"Këshillit të Mbikëqyrësve i është paraqitur kërkesa ime për anulimin e rezultatit të zgjedhjeve", bëri ndërkaq me dije kandidati i moderuar, Husein Musavi, sfiduesi kryesor i Presidentit Ahmadinexhad. Nga shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe zëvendëspresidenti Baiden pranoi se ushqente "dyshime" mbi korrektësinë e votimeve, por shtoi se "për momentin" duhet pranuar verdikti i shpallur zyrtarisht nga Ahmadinexhad. "Kam dyshime, por do t‘i shmangim komentet deri në çastin kur të kryhet një rishikimi i tërë procesit", tha Baiden gjatë një interviste në rrjetin televiziv NBC.

Arrestimet

Përplasjet e dhunshme mes policisë dhe protestuese reformistë shpërthyen menjëherë pas publikimit të rezultateve të votimeve, të cilat nxirrnin fitues Presidentin Ahmadinexhad dhe raportohen disa të plagosur. Mes të arrestuarve gjatë orëve të vona të së shtunës edhe vëllai i ish-presidentit Muhamed Khatami, i cili, sipas deklaratës së Raxhab Ali Mazruhit, një lider i njohur opozitar, gjatë paradites së djeshme u la i lirë bashkë me dy drejtues të tjerë politikë. Mazrui sqaroi se ndërkaq nuk kishte lajme për drejtuesit e tjerë të arrestuar, veçanërisht mbi ish-zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Mustafa Taxhzadeh, si dhe mbi ish-zëdhënësin e qeverisë së Khatamit Abdollah Ramazanzadeh.

Kryeqyteti i blinduar

Ndërkohë që Teherani gjendet nën mbikëqyrjen e rreptë të forcave të rendit, shumë nga kazanët e plehrave anës rrugës u dogjën gjatë këtyre protestave dhe policia është vazhdimisht e gatshme të shpërndajë protestat (të ndaluara nga regjimi) përmes ndërhyrjeve me forcë. Gjatë mbrëmjes së të shtunës, Teherani u izolua nga pjesa tjetër e vendit, pasi u shkëputën linjat telefonike. Vetëm gjatë paradites së të dielës linjat u aktivizuan përsëri.

Musavi, në gjendje arresti

Janë disa ato media që e raportojnë reformistin Husein Musavi praktikisht në gjendje arresti shtëpie, pasi i është ndaluar çdo kontakt me aktivistë politikë. Mediat u referohen fjalëve të Raxhab Al Mazruit, drejtues i grupimit kryesor reformist, Mosharekat. Lideri i moderuar u tha gazetarëve të huaj se ai vetë kishte pasur një takim me Musavin të dielën, të cilin kishin qenë të detyruar ta anulonin.

Ahmadinexhad: "Zgjedhjet e rregullta"

Protestat e atyre që kanë vënë në dyshim korrektësinë e zgjedhjeve në Iran "nuk janë të rëndësishme" dhe "nuk do të shkaktojnë kurrfarë problemi", tha Presidenti i rizgjedhur, Mahmud Ahmadinexhad, gjatë një konference shtypi. "Irani gëzon liri absolute dhe zgjedhjet qenë tërësisht të rregullta". Ndërkaq, dhjetëra mijëra mbështetës të Ahmadinexhadit u mblodhën dje në një manifestim për të përshëndetur triumfin e tij të dytë presidencial.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›