Ambeta Toromani sfidon talentet e "Amici"
Sot në "Canale 5" do të transmetohet një edicion special i "Amici". Spektakli nuk u kushtohet këtë radhë talenteve të reja, por atyre që kanë spikatur gjatë puntatave të këtyre viteve. Gjithçka është regjistruar më 16 maj dhe do të transmetohet sot, ndërsa fituesja e "Sfidës së talenteve" ka qenë balerina shqiptare Ambeta Toromani. Toromani, një balerinë klasike, u bë e njohur për publikun e gjerë italian pas konkurrimit në edicionin e dytë të "Amici", ku u rendit e dyta. Para largimit, ajo ishte solistja kryesore e Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë. Ambeta Toromani konkurroi me 11 artistë të tjerë, 6 në kategorinë e këngës dhe 5 në balet. Mes konkurrentëve ishte edhe balerini tjetër shqiptar Leon Çino, fitues i edicionit të tretë të spektaklit. Si Toromani dhe Çino tashmë janë pjesë e trupës profesioniste të programit të drejtuar nga Maria de Filipi.