E Shtunë, 31 Tetor 2026

Netaniau, i gatshëm të pranojë krijimin e shtetit palestinez

Kryeministri izraelit, Beniamin Netaniau, është i gatshëm të pranojë krijimin e shtetit palestinez. Ishte kjo pika më e rëndësishme e fjalimit shumë të pritur që Kryeministri mbajti dje në Univesitetin Barr-llan. "Janë dy kushtet për lindjen e shtetit të ri", kishte saktësuar përpara fjalimit Nir Hefez, një prej këshilltarëve më të afërt të Kryeministrit izraelit. "Demilitarizimi, i cili duhet të garantohet nga komuniteti ndërkombëtar, në radhë të parë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës; si dhe njohja nga ana e palestinezëve të Izraelit si shtet i popullit hebraik".

Kryeministri Netania, duke iu drejtuar të pranishmëve nga podiumi, nxiti liderët palestinezë të rinisnin menjëherë negociatat e paqes, pa kushte paraprake. "Të takohemi për të ndërtuar paqen", tha Kryeministri, për të shtuar se "nuk ka asnjë izraelit të vetëm që dëshiron luftën". Për sa u përket refugjatëve të luftës, Netaniau la të kuptohej se ishte një çështje, zgjidhja e së cilës duhej bërë jashtë kufijve të Izraelit, duke përjashtuar kështu mundësinë e kthimit të tyre brenda territorit izraelit.

Për pranimin e zgjidhjes me dy shtete dhe negocimin me palestinezët, Netaniau është vënë prej muajsh nën presion nga ana e administratës amerikane. Pritet gjithashtu që të reagojë edhe ndaj rizgjedhjes së Presidentit Mahmud Ahmadinexhadit, i njohur për politikën e tij të ashpër ndaj Izraelit. Presidenti iranian në të shkuarën ka kërkuar që Izraeli të zhduket nga harta, megjithëse interpretimi i kësaj deklarate është i diskutueshëm. Ndërsa Netaniau e ka konsideruar Iranin si kërcënimin më të madh ndaj shtetit izraelit, që në krijimin e tij në vitin 1948.

Në të shkuarën, Netaniau kishte propozuar fokusimin në bisedimet me palestinezët mbi çështje që kanë të bëjnë me ekonominë, sigurinë e raportet politike, duke u përpjekur të lerë mënjanë prekjen e çështjeve territoriale. Ndërkohë, Presidenti amerikan, Barak Obama, gjatë fjalimit historik të mbajtur në Kajro më 4 qershor, e përshkroi gjendjen e refugjatëve palestinezë si "të patolerueshme".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›