E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedonia i afrohet krizës politike

Shkup Dështon dialogu për reformën institucionale në Parlament

Partitë e pozitës dhe opozitës kanë dështuar në arritjen e marrëveshjes politike për të miratuar ndryshimet e Rregullores së Parlamentit. Partitë e opozitës në takimin e thirrur nga kryeparlamentari Trajko Veljanovski kanë shtruar kërkesat e tyre si kushtëzim, në rast se dëshirohet të kalojë rregullorja. Shefat e grupeve parlamentare të partive opozitare kanë kërkuar që njëkohësisht të shqyrtohen raportet e revizionit të institucioneve qeveritare, transparencën për mjetet për projektin “Shkupi 2014” dhe çështje tjera. Koordinatorja e grupit parlamentar të LSDM-së, Cvetanka Ivanova ka theksuar se kërkesat e tyre duhet të zgjidhen në pako me ato të rregullores. “Ne kemi shprehur se jemi të gatshëm për dialog politik. Por, për fat të keq VMRO-DPMNE është e shurdhër ndaj rekomandimeve dhe kërkesave të Brukselit për vazhdimin e dialogut politik”, ka theksuar Ivanova.
Nga ana tjetër, kryeparlamentari Trajko Veljanovski ka shprehur keqardhje lidhur me refuzimin dhe siç ka thënë ai, obstruksionet e partive opozitare. Në rast se nuk do të zhbllokohen mosmarrëveshjet midis pozitës dhe opozitës, atëherë Maqedoni mund të marrë raport negativ nga Bashkimi Evropian gjatë vjeshtës së këtij viti. Po ashtu kjo krizë parlamentare mund të dërgojë sinjale negative në takimin e 20 korrikut që do të mbahet midis Maqedonisë dhe BE-së për vlerësimin e procesit të realizimit të Marrëveshjes së Stabilizim – Asocimit. Derisa të gjitha partitë politike opozitare janë shprehur për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, BDI por edhe VMRO-DPMNE janë duke taktizuar lidhur me mbajtjen e tyre Partitë politike opozitare kanë shtuar zërat për të shkuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare, për shkak të bllokimit të proceseve evrointegruese dhe moszgjidhjes së kontestit të emrit.

Të gjitha partitë opozitare shqiptare janë shprehur gjithashtu për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Nga Demokracia e Re, PDSH, BDK dhe partitë e tjera janë të gatshëm për të hyrë në garën zgjedhore. “Nëse Qeveria aktuale vazhdon kështu, atëherë sigurisht se prioritet do të jenë zgjedhjet e parakohshme, edhe pse ato në këtë moment janë të padobishme për Maqedoninë”, ka theksuar deputetja e DR-së, Flora Kadriu.

Bashkimi Demokratik Kombëtar (BDK) gjithashtu vlerëson nevojën e zgjedhjeve, për shkak të ndryshimeve që duhet të pasojnë, sidomos në avancimin e çështjes së shqiptarëve. “Ka shumë manovrime të partive për zgjedhje ose jo. Pavarësisht se a do të mbahen apo jo zgjedhjet e parakohshme, partitë shqiptare duhet të shohin interesin e tyre. Andaj nëse ne kemi interes për zgjedhje të tilla, atëherë edhe si BDK do ti përkrahim ato”, ka theksuar kryetari i BDK-së, Hysni Shaqiri. Nga ana tjetër, BDI shihet si faktori kyç për të çuar ose jo vendin drejt zgjedhjeve. Burime pranë kësaj partie kanë theksuar se lideri i tyre është në kontakt me faktorin ndërkombëtar dhe do të vlerësohet çdo situatë për të shkuar në zgjedhje ose jo.

Fronti për mbajtjen e zgjedhjeve kryesisht është hapur nga LSDM-ja, e cila pas mitingut të së dielës bëri të ditur për fillimin e betejës për të çuar vendin drejt zgjedhjeve, pas nëntorit të këtij viti. "Nuk planifikohen zgjedhje të parakohshme", deklaroi të hënën kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve nëse do të ketë zgjedhje para apo pas nëntorit, siç kërkon LSDM-ja opozitare.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›