Procesi ndaj gazetarit Yzeiri, gjyqtarja Osmani mungon në seancë
Gjyqtarja Fida Osmani, një ndër iniciatoret e peticionit të gjyqtarëve kundër “Top Channel”, me pretendimin se duhej lënë e lirë për të bërë drejtësi në këtë vend, dje për herë të dytë nuk ka qenë prezente në orën kur duhej të niste një proces gjyqësor ndaj gazetarit Ilir Yzeiri. Sipas televizionit “Top Channel”, kjo është hera e dytë që Yzeiri paraqitet pranë zyrës së saj dhe e gjen derën mbyllur. Gazetari i emisionit investigativ “Hapur” është paditur nga fondacioni “Zonja e Këshillit të Mirë”, i cili i kërkon 100 milionë lekë për dëm moral. “Para rreth tre muajsh kam trajtuar në emision çështjen se ‘përse nuk u mbajt amaneti i Nënë Terezës’? I kam kujtuar të gjithëve se jemi fajtorë dhe kemi shkelur një amanet, pasi në vend të një spitali është ngritur një universitet privat”, u shpreh Yzeiri. Gazetari Ilir Yzeiri kërkon publikisht largimin e Osmanit nga ky proces gjyqësor, duke shpjeguar se kjo gjyqtare paragjykon gazetarinë investigative, gjë të cilën e tregoi edhe me daljen në mbrojtje të gjyqtarit Agim Bendo. Aleksandër çipa, kreu i Unionit të Gazetarëve, ka kërkuar solidarizim të mediave, si dhe i ka bërë thirrje gjykatës që të jetë e paanshme në vendime. “Solidariteti i komunitetit tonë për këtë çështje të bashkohet në mënyrë ligjore, që ne të funksionojmë si një pushtet, përballë një pushteti tjetër”, tha çipa.
#