E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita jep sinjalet: Procesi zgjedhor në rrezik

Nga Luljeta Progni

Opozita ka dhënë dje sinjalet e para të rrezikut që po i kanoset zgjedhjeve për shkak të dokumenteve të identifikimit. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha në një konferencë për shtyp se problemi i regjistrit kombëtar nuk është zgjidhur ende, pasi ai ka ende sot mbi 100 mijë dublikime. “Një analizë e thjeshtë e ecurisë së deritanishme të procesit, si dhe një sërë të dhënash të konfirmuara edhe zyrtarisht nga Ministria e Brendshme, flasin për një situatë vërtet aspak optimiste.

Sot e gjithë ditën nuk është pastruar ende regjistri kombëtar i Gjendjes Civile, i cili, sipas versionit zyrtar të qeverisë, përmban ende mbi 100 mijë dublikime, ndërkohë që ky proces, sipas vetë angazhimeve publike të qeverisë, duhet të kishte përfunduar në korrikun e vitit 2008, pastaj në shtatorin e vitit 2008 dhe pastaj në dhjetorin e vitit 2008. Me një regjistër në këtë gjendje mund të kemi gjithçka, por jo lista të rregullta zgjedhësish që janë bazë e domosdoshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, - tha Rama.

Më pas kryetari socialist iu referua një tjetër problemi, aplikimit dhe shpërndarjes së kartave të identitetit. Sipas tij, afatet janë në rrezik, kur ende nuk ka nisur shpërndarja e kartave dhe kanë aplikuar vetëm 20 mijë qytetarë. “Nga ana tjetër, në më pak se 5 muaj nga nisja zyrtare e fushatës zgjedhore nuk është shpërndarë asnjë kartë identiteti, ndërkohë që ecuria e deritanishme e procesit të aplikimit të qytetarëve për marrjen e këtyre kartave tregon qartësisht se qeveria nuk ka as plan, as kalendar dhe as objektiva të qartë e të bazuar në kushtet e kohës së mbetur deri më 28 qershor.

Çfarë mund të presim deri në 28 qershor nga procesi i sapo nisur, kur në rreth një javë kanë aplikuar jo më shumë se 20.000 persona, ndërkohë që deri ditën e zgjedhjeve kanë mbetur jo më shumë se 115 ditë pune, madje pa llogaritur festat, ndërsa numri i përgjithshëm i votuesve është rreth 3 milionë qytetarë e qytetare?!

Vonesa dramatike e këtij procesi gjatë gjithë këtij mandati të dështuar qeverisës, i ka sjellë gjërat vërtet në buzë të humnerës dhe ka bërë që këto zgjedhje historike për Shqipërinë e përfshirë në angazhime të mëdha me familjen euroatlantike, të kërcënohen shumë seriozisht në standardet e tyre.

Ndërsa mënyra krejt e çorganizuar me të cilën më në fund filloi procesi i aplikimit, po bëhet përditë e më alarmante në perspektivën e saj deri më 28 qershor dhe kërkon me patjetër korrigjim të menjëhershëm e rrënjësor.

Ky proces është vërtet përgjegjësi kushtetuese e ligjore e drejtpërdrejtë e qeverisë shqiptare, por dështimi i këtij procesi do të ishte dështimi i Shqipërisë, prandaj ne jemi këtu për të bërë gjithçka mundemi, jo vetëm duke vënë alarmin për rrezikun e dështimit, po edhe duke dhënë të gjithë kontributin tonë që e drejta e zgjedhjes t'i garantohet çdo shqiptari e shqiptareje dhe që procesi të mos dështojë në asnjë mënyrë”, - tha Rama.

Drejtuesi i opozitës paraqiti disa propozime për situatën. Sipas tij, duhet nisur sa më shpejt shpërndarja e dokumenteve të identitetit për ata që nuk kanë pasaporta, ashtu siç dhe është përcaktuar në Kodin Zgjedhor.

“Ja pse ne propozojmë një korrigjim të menjëhershëm të metodës së zgjedhur e të mënyrës së ndjekur deri tani, duke i dhënë prioritet absolut qytetarëve e qytetareve votues që nuk kanë pasaportë.

Edhe në Kodin e ri Zgjedhor thuhet se shtetasit që nuk disponojnë pasaportë duhet të pajisen të parët me këtë dokument.

Ne propozojmë që Këshilli i Ministrave të nxjerrë pa humbur kohë një vendim të ri, ku të urdhërojë, në bazë të listës zyrtare të shtetasve pa pasaportë, shpërndarjen e emrave të tyre sipas çdo njësie vendore deri më datën 31 janar 2009.

Autoritetet vendore duhet të ngarkohen që përveç publikimit zyrtar të listës përkatëse të banorëve të njësisë së tyre pa pasaportë, t'i njoftojnë nominalisht këta shtetas që të aplikojnë për kartën e identitetit, sipas një kalendari të bërë publik, duke i njohur me sanksionet e përcaktuara në rast mos-pajisjeje me kartë në afatin e parashikuar.

Vetëm kështu ne besojmë se mund të arrihet që rreth 740 mijë qytetarët e qytetaret votues që nuk disponojnë pasaportë, të mund të pajisen me kartë identiteti para 28 qershorit.

Në të kundërt, është jashtë çdo mundësie objektive për kohën e mbetur deri ditën e zgjedhjeve që kjo kategori shtetasish të mund të garantohet në të drejtën e saj për të votuar dhe praktikisht procesi do të dështojë”, - tha Rama.

Socialistët propozojnë gjithashtu ngritjen e një komisioni parlamentar për monitorimin e këtij procesi.

“Po ashtu, ne e quajmë absolutisht të domosdoshme ngritjen e një komisioni parlamentar ad hoc që të monitorojë procesin e përgatitjes së infrastrukturës zgjedhore dhe të ushtrojë kontrollin e posaçëm të parlamentit mbi strukturat qendrore e vendore të përfshira në këtë proces gjatë gjithë periudhës së mbetur deri në zgjedhje”, - theksoi kryetari i PS.

Berisha: Dakord me ngritjen e komisionit parlamentar

Kryeministri, Sali Berisha, iu përgjigj pozitivisht kërkesës së kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, për ngritjen e një komisioni të përkohshëm parlamentar për monitorimin e procesit zgjedhor. Berisha shtoi se Ministria e Brendshme do i përgjigjet kërkesave të opozitës për sa i përket çështjes së dokumenteve të identitetit. “Çështja më kryesore e kësaj periudhe dhe të gjithë këtyre muajve janë zgjedhjet. Ju bëj thirrje edhe ju të ulemi me opozitën për të ndërtuar një komision me kredibilitetin më të lartë, sikundër ftoj opozitën të ushtrojë të gjithë kontrollin që dëshiron mbi përgatitjet për procesin zgjedhor. Ne do ta konsideronim kontrollin e saj kontribut të madh. Nuk kemi asnjë qëllim, vetëm një proces dinjitoz zgjedhor. Duke ardhur këtu më informuan se kryetari i opozitës ka kërkuar vendim qeverie për pasaportat ekzistuese. Unë do të autorizoj Ministrinë e Brendshme që menjëherë të vendosë kontaktet me ta. Çdo lloj propozimi që opozita e gjykon dhe që i shërben transparencës dhe kompletimit më të mirë të procesit ne jemi të hapur. Ne duam që çdo forcë politike të gjejë veten e vet në këtë proces. Nuk kemi asgjë përjashtuese në këtë proces”, - tha Berisha.

Çështja e pasaportave është e përcaktuar dhe në Kodin Zgjedhor.

Ministria e Brendshme: Janë vetëm 50 mijë të dublikuar në regjistër

Ministria e Brendshme reagoi me anë të një deklarate në lidhje me konferencën e kryetarit të PS, Edi Rama. Sipas kësaj ministrie, dublikatet në regjistrin kombëtar janë 50 mijë dhe jo 100 mijë, siç thotë Rama. Gjithashtu, kjo ministri sqaron se po ecet brenda kalendarit për sa i përket pajisjes me dokumentet e identitetit.

“Pas pretendimeve të Partisë Socialiste në lidhje me ecurinë e procesit të pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime elektronike, Ministria e Brendshme deklaron për opinionin publik se gjithçka po ecën sipas plan-kalendarit dhe parashikimeve për procesin.

Dëshirojmë të sqarojmë ndërkohë opinionin publik edhe në lidhje me pretendimin e Partisë Socialiste për numrin e shtetasve që figurojnë të dubluar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.

Numri i shtetasve që figurojnë të dubluar në regjistër është 50 392 dhe jo 100 mijë, siç u deklarua në selinë e Partisë Socialiste.

Nga ana tjetër theksojmë edhe njëherë se është pikërisht formati elektronik i Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, që siguron një numër të veçantë identifikimi për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë.

Nga numri personal që i jepet çdo shtetasi përcaktohet saktësisht sesa dublikime ka në regjistër dhe ku ndodhen ato.

Puna për pastrimin e këtyre dublikimeve vazhdon pa ndërprerje dhe do të përfundojë brenda tri javësh”, - thuhet në deklaratën e Ministrisë së Brendshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›