Maqedonia, pa viza në BE në 2009
Zëvendëskryeministri maqedonas, Ivica Boçevski, deklaroi për gazetën “Dnevnik” në Shkup, se Bashkimi Europian do të heqë vizat për Maqedoninë vitin e ardhshëm. Një ditë më parë, presidenti i KE-së, Hose Manuel Barroso deklaroi se edhe Serbia mund të sigurojë statusin e vendit kandidat, nëse arrin të plotësojë të gjitha standardet për këtë proces. Ndërkohë, Boçevski dhe ministri i Jashtëm maqedonas, Antonio Milloshoski, u takuan me zyrtarët në Bruksel, me të cilët diskutuan lidhur me liberalizimin e plotë të vizave në vitin 2009. Zëvendëskryeministri Ivica Boçevski tha se ai nuk mund të jepte një datë të saktë se kur duhej të ndodhte kjo, por burime diplomatike nga Brukseli thanë se ata mendojnë që verën e ardhshme qytetarët maqedonas nuk do të kenë nevojë të marrin viza për të hyrë në zonën Shengen. Sipas Boçevskit, Maqedonia i ka plotësuar kriteret për vizat. Pasaportat biometrike, administrimi i integruar i kufijve, qendra kombëtare e vizave si dhe konstatimi europian se maqedonasit nuk jetojnë në një vend me risk emigracioni, janë elementë që e kanë vendosur Shkupin në vendet e para të listës së shteteve të cilëve do t’u hiqen vizat. Ndërkohë, një ditë më parë, presidenti i Komisionit Europian tha se edhe Serbia mund të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE vitin e ardhshëm, nëse plotësohen të gjitha kushtet. Barroso theksoi se administrata Tadiç arrestoi ish-udhëheqësin serb të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, pas trembëdhjetë vitesh në arrati dhe e ekstradoi atë në Hagë, ku është në gjyq për gjenocid dhe krime lufte.
Rajs: “Kosova dhe Gjeorgjia, dy situata të ndryshme”
Sekretarja amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs ka deklaruar se Kosova dhe Gjeorgjia janë dy situata të ndryshme. “Në radhë të parë, Kosova ka qenë një situatë unikale, që lindi pas shpërbërjes së Jugosllavisë”,- ka thënë sekretarja Rajs në Lisbonë, duke shtuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës u bë pas një procesi të gjatë. “Nuk duhet të lejojmë paraqitjen e argumenteve të tilla”,- ka thënë Rajs në një konferencë për gazetarë pas takimit me ministin e jashtëm të Portugalisë Luis Amado. Nga ana e tij shefi i diplomacisë portugeze ka thënë se në disa analiza është bërë paralele ndërmjet Kosovës dhe Gjeorgjisë, mirëpo ai konsideron se fjala është për “situata të ndryshme”.
Serbi, Nikoliqç jep dorëheqjen nga Partia Radikale
Tomisllav Nikoliç ka dhënë dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të Partisë Radikale Serbe (SRS) si dhe nga posti i shefit të Grupit Parlamentar të kësaj partie në Parlamentin serb, bëri të ditur agjencia Beta. Siç ka bërë të ditur kjo parti, Nikolliç dha dorëheqjen në mbledhjen e Kolegjiumit presidencial. Tomisllav Nikoliç është angazhuar që kjo parti të nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit që sipas shtypit serb është në kundërshtim me qëndrimin e presidentit të kësaj partie, Vojisllav Sheshel, i cili ndodhet në Hagë, por ndikimi i të cilit është i madh në parti.
8 Shtator 2008