Tentoi t’i ikte rrethimit, plagoset nga policia i kërkuari për vrasje
Tiranë – Policia ka mundur të finalizojë dje në mëngjes një operacion të vështirë për kapjen e një të kërkuari për vrasje. Edhe pse aksioni policor i kishte mbyllur të gjitha shtigjet Feim Gjuni, 32 vjeçar, i dënuar në mungesë me 19 vjet burg për vrasje, nga Gjykata e Rrethit të Kukësit, u përpoq ti shmangej prangave ashtu siç edhe kishte bërë për tetë vjet me radhë, por kësaj radhe ai nuk ka mundur t’ia dalë. Kapja e tij u realizua falë një operacioni të befasishëm të policisë së kryeqytetit dhe forcave të Drejtorisë së Qarkut Kukës. Burime zyrtare të policisë thanë për gazetën “Albania” se 32 vjeçari i kërkuar Feim Gjuni, lindur në Kalimash, u arrestua në flagrancë rreth orës 05:00 të mëngjesit të djeshëm në Babrru të Tiranës, ku ai jetonte prej vitesh.
Operacioni
Banorët e fshatit Babrru kanë dëgjuar të shtënat në orët e para të mëngjesit në afërsi të vilës dykatëshe që mbajtur prej kohësh në vëzhgim nga uniformat blu. Shkak për këtë është bërë tentativa e shumë të kërkuarit për t’u larguar nga banesa e vëllezërve të tij, në vendin e quajtur Kodra e Kuqe jo shumë larg periferisë së kryeqytetit. Edhe pse uniformat blu ishin afruar në fshehtësi dhe madje kishin evituar dekonspirimin e aksionit i tmerrshmi Gjuni kishte ndier rrezikun dhe disa herë tentoi largimin jashtë grackës së policisë. Ai nuk ka nguruar të shpërfillë edhe thirrjet e bëra nga forcat policore për t’u dorëzuar. Duke mos pasur asnjë rrugëdalje tjetër efektivat e policisë, i janë përgjigjur me zjarr krismave që vinin nga ndërtesa, dhe nga shkëmbimi i zjarrit, i kërkuari është plagosur në këmbën e majtë. Aktualisht i dënuari ndodhet i siguruar nga forcat policore në spitalin Ushtarak Tiranë, jashtë rrezikut për jetën dhe po merr ndihmën e specializuar mjekësore. Për hetimin e ngjarjes është krijuar një grup hetimor nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, të cilët po hetojnë për të zbardhur tërësisht rrethanat e ngjarjes.
Dënimi
Feim Gjuni, 33 vjeç, lindur e banues në Kalimash të rrethit të Kukësit, ishte dënuar në mungesë nga Gjykata e Faktit e rrethit të Kukësit në 7 tetor të vitit 2000 për akuzën e vrasjes me 19 heqje lirie. Ndërsa në maj të vitit 2001 me vendim të formës së prerë Gjykata e Apelit Shkodër, la në fuqi vendimin e Faktit për dënimin e tij për veprën penale “të vrasjes me armë zjarri” të shtetasit Hasan Truni, ngjarje që daton në 1 tetor të vitit 2000, në fshatin Kalimash.
9 Maj 2008