E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedonia, shtet me të ardhme të pasigurt

Debati Ekspertë të fushës së sigurisë theksojnë se Shkupi mbetet ende jo stabël

Vendosja e Maqedonisë në grupin e vendeve me kufij të pabetonuar dhe parashikimet se në një ridefinim eventual të kufijve të Ballkanit do të prekej edhe vendi rezultojnë me raporte të vazhdueshme të organizatave ndërkombëtare, ku shteti vlerësohet si mesatarisht stabil. Ekspertë nga sfera e sigurisë thonë se edhe gjatë kohës vlerësimet do të jenë në këtë formë me një dozë rezerve për tre shtetet e Ballkanit Perëndimor - Maqedoninë, Kosovën dhe Bosnjën, për të cilat ende nuk është e qartë ardhmëria e tyre si shtete. Këshilltari i dy ish-presidentëve për çështjen e sigurisë, Stevo Pendarovski, thotë se ky vlerësim për Maqedoninë në vite do të jetë i njëjtë duke shtuar se ende ka çështje të hapura në rajon. Ai shton se si rezultat i këtyre vlerësimeve neutrale në Maqedoni nuk ka investime të jashtme. “Në rajonin e Ballkanit Perëndimor duke filluar nga Kroacia, Serbia dhe Shqipëria në pjesë të madhe paraqiten në të gjitha raportet si vende demokratike me një stabilitet të qëndrueshëm. Ndërsa tri vendet e tjera Maqedonia, Kosova dhe Bosnja në të ardhmen do të jenë vende me stabilizim të mesëm. Duke u bazuar në paralajmërimet nga SHBA-ja dhe BE-ja për ndryshimin e ‘Dejtonit’, mund të thuhet se këto shtete nuk kanë definuar çështjet e kufijve dhe sovranitetit territorial dhe të njëjtat mund të ndryshojnë. Dhe nga këtu paraqiten dyshime për të ardhmen e këtyre tri shteteve”, thotë Pendarovski. Sipas tij, edhe marrëdhëniet ndëretnike luajnë rol në këtë aspekt, por është edhe një problem tjetër më i madh që ka të bëjë me çështjen e emrit.

“Në OKB një pjesë e shteteve e njohin vendin me emrin Maqedoni, kurse një pjesë tjetër me referencën FYROM. Këtu paraqitet dyshimi se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e vendit. Që nga pavarësia e Maqedonisë e deri më sot, por edhe në të ardhmen kështu do të jenë të gjitha hulumtimet që bëhen për çështjen e sigurisë”, vlerëson Pendarovski. Profesori universitar, Mersel Bilalli, vlerëson se në këto raporte Maqedonia nuk do ta përmirësojë imazhin, duke pasur parasysh realitetin multietnik dhe çështjet ballkanike. “Në të gjitha analizat Maqedonia nuk mundë të marrë vlerësime më të larta në sferën e stabilitetit duke pasur parasysh realitetin multietnik të brendshëm të vendit dhe konfliktin jo të largët të vitit 2001, si dhe çështjet e hapura ballkanike. Gjithashtu, edhe qeveria është joserioze me dërgimin e ambasadorëve joserioz nëpër qendrat e vendosjes. Me këtë situatë kështu nuk priten edhe investime të jashtme, por edhe afaristët e brendshëm keqtrajtohen apo institucionet kanë qasje të njëanshme”, thotë Bilalli. Rezultatet e hulumtimit të bërë nga revista amerikane e politikës së jashtme “Foreign Policy” Maqedonia është vend me stabilizim të mesëm. Sipas këtij hulumtimi, Maqedonia renditet në vendin e 100 nga 177 shtete.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›