Zgjerohet greva e metalurgëve, pezullohet puna në Kurum
Ndërsa greva e metalurgëve të uzinës së çelikut ka hyrë në ditën e dytë, 200 grevistëve u janë bashkuar edhe 100 metalurgë të tjerë nga uzina e Petëzimit. Dje, rreth orës 06:00 të mëngjesit, të gjithë metalurgët janë grumbulluar para portës kryesore që lejon hyrjen drejt uzinës së Petëzimit dhe godinës së administratës së firmës turke “Kurum”. Ndryshe nga një ditë më parë, në vend ka pasur edhe shumë forca policie, kërkesë kjo e bërë nga administrata turke nën pretekstin e mbrojtjes së tyre nga metalurgët shqiptarë. Një grup përfaqësuesish të grevistëve, për rreth dy orë kanë biseduar me drejtuesit e kompanisë, por nuk kanë arritur asnjë kompromis gjatë bisedimeve. Drejtuesit e “Kurum” kanë kërkuar në të njëjtën kohë ndihmën e policisë për hapjen e portës tjetër kryesore, asaj të uzinës së çelikut, për lejimin e makinave të ngarkuara me skrap apo të atyre me çelik për eksport. Turma e grevistëve në këtë kohë është spostuar për të bllokuar portën e uzinës së çelikut ku kanë nisur edhe debatet me forcat e policisë. Rreth 100 punëtorë kanë bllokuar me shpatulla dy portat e uzinës, duke i përforcuar me kavo të tjera çeliku, për të mos u hapur. Policia nuk ka ndërhyrë me forcë dhe përfaqësuesit e metalurgëve kanë deklaruar se portat do të hapen vetën për nevoja të zjarrfikësve, ose të urgjencës ambulatore. Deri në orën 11:00 nuk është lejuar të kryhet asnjë veprim për shitje çeliku dhe për blerje skrapi. Përfaqësues e sindikalistë të metalurgëve kanë qenë të vendosur në kërkesat e tyre, që ua kanë komunikuar një javë më parë drejtuesve të kompanisë. Veç kërkesës për zbatimin e plotë të kontratës kolektive dhe largimin e tre drejtuesve të uzinës së çelikut, grevistët kanë kërkuar edhe pezullimin e pushimeve nga puna të afro 60 metalurgëve jo shumë kohë më parë, duke shpjeguar se largimi i kolegëve të tyre është bërë sepse ata kanë qenë pjesëmarrës në protesta dhe greva të zhvilluara më parë. Në të njëjtën kohë, përfaqësuesit e sindikatës kanë kërkuar anulimin e gjobave pa kriter dhe të padrejta të vëna ndaj punëtorëve shqiptarë, që sipas tyre drejtuesit turq i kanë vendosur vetëm për të ulur fondin e pagave. Krerët e sindikatës kanë deklaruar se greva e 300 punëtorëve do të vijojë pa ndërprerje deri sa dy palët, sindikata dhe punëdhënësi të bien dakord për plotësimin e kërkesave.
#