E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedonia, sot në votime

Mesnatën e së premtes në Maqedoni filloi heshtja zgjedhore pas një fushate 21-ditëshe që u parapriu zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 1 qershorit. Partitë tashmë e kanë shpallur të mbyllur aktivitetin e tyre elektoral, ndërsa Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), ka njoftuar përmbushjen e të gjitha detyrave të tij që lidhen me zhvillimin e votimit.

Zgjedhësit do të vendosin nesër me votën e tyre se cilët do të jenë 120 deputetët e ardhshëm të Parlamentit të Maqedonisë. Zgjedhjet zhvillohen sipas sistemit proporcional rajonal: Maqedonia është e ndarë në 6 njësi zgjedhore dhe nga secila dalin 20 deputetë. Të 18 subjektet politike që marrin pjesë në garë kanë regjistruar 77 lista me 1540 kandidatë për deputetë.

Më 1 qershor, në Maqedoni do të hapen 2898 vendvotime. Votimi zgjat nga ora 07.00 - 19.00, ndërsa Komisioni Shtetëror Zgjedhor parashikon t‘i njoftojë rezultatet e para brenda 12 orësh pas përfundimit të votimit.

Të drejtë vote kanë 1779116 qytetarë të regjistruar në listën zgjedhore, 37667 më shumë në krahasim me votuesit e regjistruar në vitin 2006. Nga këta, 1929 qytetarë votuan dje. Ata janë njerëz që kanë statusin e "personit të brendshëm të shpërngulur", ose të burgosur.

Zgjedhjet pritet të ndiqen nga pothuaj 5000 vëzhgues, nga të cilët 4044 janë vendas, të shoqatës qytetare MOST. Ndër vëzhguesit e huaj, delegacioni i OSBE/ODIHR-it ka 309 anëtarë. Votimi do të ndiqet edhe nga përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së, Çekisë, Sllovakisë, Francës, Britanisë së Madhe, Austrisë, si dhe përfaqësues të Këshillit të Evropës, të Bashkimit Evropian dhe të Komisionit Zgjedhor Qendror të Kosovës.

Për pasqyrimin e zgjedhjeve nga media janë akredituar rreth 50 gazetarë - 18 nga Greqia, 7 nga Bullgaria, 6 nga SHBA, si dhe të tjerë nga Belgjika, Franca, Sllovenia, Kroacia, Kina dhe Hungaria.

Fushata zgjedhore kaloi me incidente kryesisht në veprimtaritë e partive të bllokut politik shqiptar - në pjesën perëndimore të Maqedonisë, ku shumica e banorëve janë shqiptarë.

Bashkësia ndërkombëtare, sidomos përfaqësues të BE-së dhe SHBA-së, u kanë bërë thirrje subjekteve politike që të jenë të përmbajtura dhe të përpiqen të zhvillojnë zgjedhje korrekte dhe demokratike. Ministrja e Punëve të Brendshme (MPB) ka njoftuar se të dielën do të shtojë efektivin e policisë, sidomos në vendet ku ka pasur probleme gjatë zgjedhjeve të vitit 2006.

Dy koalicionet janë të formuara nga partitë tradicionalisht kundërshtare në bllokun politik maqedonas, VMRO-DPMNE-së dhe Lidhjes Social-Demokrate. Ndërkaq, partitë politike shqiptare nuk kanë formuar koalicione parazgjedhore. Forcën e tyre politike në mjedisin e votuesve shqiptarë do ta matin Bashkimi Demokratik për Integrim, Partia Demokratike Shqiptare, Partia e Prosperitetit Demokratik, Bashkimi Demokratik Kombëtar dhe Bashkimi Demokratik Shqiptar.

Partitë politike shqiptare numrin më të madh të deputetëve e sigurojnë në njësinë zgjedhore numër gjashtë, e cila mbulon qytetet me shumicë shqiptare si Tetova, Gostivari, Dibra dhe një pjesë e qytetit të Kërçovës.

Ambasadorët

Thirrje për zgjedhje të qeta e demokratike

Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së përsëritën dje në Shkup thirrjen për zgjedhje korrekte dhe demokratike, në pajtim me standardet ndërkombëtare.

"Shpresojmë se nesër qytetarët dhe drejtuesit politikë do tregojnë aftësi dhe vullnet për zgjedhje sipas standardeve ndërkombëtare dhe kjo do çojë përpara zbatimin e aspiratave të vendit për integrim në BE dhe NATO", tha ambasadorja e SHBA-së në Shkup, Xhilien Milovanoviç në një konferencë të përbashkët shtypi me ambasadorin e BE-së, Ervan Fuerre.

Ajo u bëri thirrje qytetarëve që duke shfrytëzuar të drejtën e votës, të forcojnë demokracinë në Maqedoni dhe të ndihmojnë ndërtimin e së ardhmes së saj.

"Çdo njeri ka të drejtë për një votë. Votimi për familjarët ose keqpërdorime të tjera nuk mund të tolerohen", tha ambasadorja amerikane, duke përmendur një nga problemet e konstatuara gjatë votimeve të mëparshme në Maqedoni.

"Qeveria duhet të zbatojë politikën e tolerancës-zero ndaj dhunës ose frikësimit, pavarësisht nëse kjo ndodh në vendvotim ose afër tij, në ditën e zgjedhjeve, ose më pas", tha ambasadorja Milovanoviç, e cila vërejti se organet kompetente dhe institucionet shtetërore "duhet t‘i dënojnë ashpër shkeljet zgjedhore, sidomos shkeljet e Kodit Zgjedhor".

Ajo përsëriti mesazhin e BE-së dhe SHBA-së, që drejtuesit, anëtarët dhe simpatizantët e partive politike t‘i përmbahen kodit për zgjedhje korrekte dhe demokratike.

"Drejtuesit politikë duhet të sigurojnë që përkrahësit e tyre do respektojnë paanshmërinë e vëzhguesve të huaj e të vendit dhe se ata nuk do të zbatojnë politika frikësimi ose presione dhe ndikime të ndryshme", tha Milovanoviç.

Në mesazhin e tij, euroambasadori Fuere shprehu bindjen se procesi i nesërm do të sigurojë zgjedhje të lira dhe korrekte. Ai përsëriti mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së për një proces të rregullt e demokratik zgjedhor.

Apeli

Diplomatë perëndimorë kanë bërë thirrje që procesi zgjedhor të kalojë pa incidente dhe zgjedhjet të jenë të lira, të ndershme si parakusht për vazhdimin e Maqedonisë drejt proceseve integruese.

Kronologjia

Në Maqedoni, më 12 prill, me iniciativën e partisë opozitare shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, dhe mbështetjen e grupimit më të madh parlamentar të VMRO-DPMNE-së në pushtet, u vetëshpërnda Parlamenti, duke i hapur kështu rrugën mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme. Këto zgjedhje mbahen sot dhe janë të parat zgjedhje të parakohshme, që nga pavarësimi i Maqedonisë në fillim të viteve ‘90.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) caktoi periudhën 11-30 maj për zhvillim të fushatës parazgjedhore. Zgjedhjet do të mbahen sipas modelit proporcional në gjashtë njësi zgjedhore dhe në to të drejtën e votës do ta kenë mbi një milion e 740 mijë qytetarë.

Sipas Kodit Zgjedhor të vendit, KSHZ-ja duhet t‘i shpallë rezultatet zyrtare 24 orë pas mbylljes së vendeve të votimit, të cilat hapen në orën 07.00 dhe mbyllen në orën 19.00 të mbrëmjes. Partitë dhe koalicionet kanë paraqitur 20 lista zgjedhore, por KQZ-ja refuzoi të regjistrojë vetëm njërën prej tyre.

Kuvendi i Maqedonisë

Kuvendi është njëdhomësh dhe përbëhet nga 120 deputetë, të cilët zgjidhen me mandat katërvjeçar.

Secila nga gjashtë njësitë përfaqësohet me nga 20 deputetë. Nga viti 1994, kjo do të jetë legjislatura e pestë e Parlamentit maqedonas.

Në zgjedhjet e fundit, në vitin 2006, VMRO-DPMNE fitoi 33% për qind të votave ose 45 deputetë; LSDM-ja 22%, ose 32 vende, Bashkimi Demokratik për Integrim - 12% ose 17 deputetë, Partia Demokratike Shqiptare 7%, ose 11 vende. Pesëmbëdhjetë vendet e tjera i morën forcat më të vogla maqedonase.

Forcat kryesore

VMRO-DPMNE (Organizata e Brendshme Revolucionare Maqedonase- Parti Demokratike e Unitetit Kombëtar Maqedonas)

Është krijuar në vitin 1990 dhe aktualisht kryesohet nga Nikolla Gruevski. Mospajtimet në qeveri, lidhur me reformat dhe të drejtat e shqiptarëve, kundërshtitë në Parlament, sidomos nga grupimi parlamentar i BDI-së, e shtynë këtë parti, që përbën boshtin e koalicionit aktual qeverisës, të mbështesë nismën e partisë shqiptare për vetëshpërndarjen e Parlamentit.

LSDM (Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë)

Është pasuese e Lidhjes së dikurshme Komuniste të Maqedonisë që mori këtë emër në vitin 1991.

Në disa legjislatura të Parlamentit, koalicioni i krijuar nga kjo parti ka pasur shumicën, ndërsa në qeveri ka qenë e përfshirë edhe Partia e Prosperitetit Demokratik, forcë kjo që dominoi skenën politike shqiptare në Maqedoni gjatë viteve nëntëdhjetë.

Pas zgjedhjeve të vitit 2002, kjo parti përfshiu në koalicionin qeverisës edhe Bashkimin Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit, që fitoi në kampin politik shqiptar.

Drejtuesi i saj dhe ish-kryeministër, Branko Cërvenkovski, pas zgjedhjes President, në vitin 2004, u pasua nga Vllado Buçkovski. I njëjti, pas humbjes së zgjedhjeve të para dy vjetëve, u largua për t‘ia lënë vendin kryetares aktuale Radmilla Sheqerinska.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI)

Është formuar në vitin 2002, tre muaj para zgjedhjeve, nga të cilat doli si partia kryesore e shqiptarëve në Maqedoni.

BDI, edhe në zgjedhjet e fundit, në vitin 2006, fitoi shumicën e votave në mesin e elektoratit shqiptar, por partia VMRO-DPMNE, fituese në bllokun maqedonas, ftoi aleaten e mëhershme, Partinë Demokratike Shqiptare, që të krijojnë qeverinë.

Partiа Demokratike Shqiptare (PDSH)

Është krijuar para 15 vjetësh dhe deri në vitin 2007 është drejtuar nga Arbën Xhaferri. Pas tërheqjes të tij, në këtë post erdhi Menduh Thaçi.

Kjo parti është aleate e VMRO-DPMNE-së dhe si e tillë ka marrë pjesë në dy qeveritë e drejtuara prej saj - atë pas zgjedhjeve të vitit 1998 dhe në këtë të fundit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›