E Diel, 1 Nëntor 2026

Delvina e panjohur

Në Qafën e Muzinës ka nisur gjallëria e beharit. Makinat shkojnë e vijnë mbi rrugën e asfaltuar rishtaz dhe era e mbarë e detit depërton deri në gjelbërimin e thellë të grykës malore. Disa gra kanë dalë që herët në mëngjes me koshat e qershive përpara. Neve na kujtohet se sa të famshme kanë qenë këto kthesa të forta për qershitë e tyre. Rrimë një copë herë dhe bëjmë muhabet me një të moshuar. Eshtë minoritare greke dhe shqipja e saj merr një ngjyrim kurioz teksa rreket të na shesë edhe një dorë tjetër me qershi. Në krah të saj një nuse e re na flet në një tjetër dialekt. Eshtë nga Bulqiza dhe është martuar këtu para pak kohësh. Eshtë nga të paktët njerëz që kanë mbërritur në shtëpitë e gurta të fshatit gjysmë të braktisur. Jemi nisur për në Delvinë, një qytet me një histori të gjatë, që ka njohur të gjitha fazat, që nga shkëlqimi si qendër sanxhaku dhe deri te braktisja dhe çmenduria e 1997-ës. Preferojmë të kalojmë mbi rrugën e vjetër. Xhadeja e re është e stërmbushur nga turistë që vrapojnë drejt Sarandës në kërkim të shpëtimit prej vapës që ka nisur që herët të bëhet e padurueshme. Mbi rrugën e vjetër duket se jemi vetëm ne. Vetëm nja dy shoferë me furgona na shohin me një ndjenjë që luhatet mes habisë dhe keqardhjes. "Të shkretët këta - do kenë menduar me siguri - nuk e mësuan që nuk e mësuan rrugën e re". Në xhadenë e vjetër, tashmë të braktisur, teksa luhatemi fort mbi gropat që kanë nisur të "mbretërojnë" mbi asfalt, presim me durim që të shfaqen shtëpitë e para të qytetit. Dhe ja ku duket tej mes kodrave ajo Delvina plot me histori. Kalojmë shpejt e shpejt disa rrënoja industriale, mbetje të kohës kur qyteti jetonte nga përpunimi i prodhimeve të fushës së begatë që shtrihet në këmbët e tij dhe shkojmë drejt qendrës.

Qyteti i vaposur

Në qendër të qytetit ecim edhe ne njësoj si gjithë të tjerët: anës rrugëve, nën strehët e dyqaneve dhe lokaleve për t‘u mbrojtur nga dielli, që tani është bërë fare i padurueshëm. Disa burra në moshë jo fort të shtyrë pijnë me ëndje birrat e ftohta që kanë vënë përpara. Nuk duket se ka shumë gjallëri në këtë qytet, të paktën në qendër. Sillemi disa kohë vërdallë pa ndonjë objektiv të qartë në kokë. Nuk duam t‘ia prishim kënaqësinë e freskët të birrës të paktëve njerëz që shohim. Vetëm pranë një grupi furgonash dëgjojmë një debat me zë të lartë, janë shoferët që seç kanë një problem që nuk po e zgjidhin dot me zë të ulët. Nxjerrim aparatin fotografik. "Të paktën të kemi ca foto për arkivin tonë", na shkon mendja. Kemi bërë gabim, sepse bash e në atë moment që është shfaqur aparati një burrë i shëndoshë, në dukje fort i inatosur, nis të ngrejë zërin: "Ore do më dëgjoni apo t‘u jap një intervistë këtyre gazetarëve unë e pastaj ta shikoni ju". Të tjerët mundohen ta qetësojnë burrin e inatosur, porse ai vazhdon në të tijën: "Përse të pushoj. Kam tre fëmijë për të rritur, vetë pa punë, gruan pa punë. Si do të jetojmë ne?! Edhe fëmijët i kam hequr nga shkolla, sepse nuk ma mbante xhepi. Jetë i thoni ju kësaj?". Protesta e hallexhiut vazhdon edhe disa minuta të mira, derisa një djalë i imët e tërheq nga krahu dhe i thotë me zë të ulët: "Mjaft se le nam". E shkëmbejmë nga një cigare me burrin që tashmë është qetësuar disi. Zhgënjehet shumë kur i themi se nuk kemi ardhur për hallet e sotme të delvinjotëve, por për monumentet e vjetra që kanë mbetur ende në këmbë. "E mora vesh, e mora - psherëtin - shkoni andej nga Llaka, ajo është lagje e vjetër". Dhe kështu brenda pak çastesh kemi mbërritur në njërën prej lagjeve më të vjetra të Delvinës.

Pak shenja të shkëlqimit të vjetër

Llaka shtrihet mbi disa kodra të buta që zbresin ngadalë drejt pjesës tjetër të qytetit. Dikur ka qenë nga vendet më të lulëzuara të krejt zonës. Shtëpi të rënda prej guri, shumë prej të cilave shekullore, dyqane të shumta, shkolla dhe hane i jepnin kësaj lagjeje të banuar nga grekët një pamje të veçantë. Mbetjet e shtëpive të mëdha i shohim aty-këtu të mbuluara nga gjelbërimi që nuk është prekur me dorë që kush e di se prej sa kohësh. Porta të mbyllura, dritare tashmë të shqyera nga harresa na shoqërojnë në kalldrëmin e gurtë. Ka edhe shumë shtëpi të reja, por edhe prej tyre shumë duken që nuk banohen prej kohësh. Më vonë do të mësojmë se shumica e njerëzve të aftë për punë është larguar prej kohësh në Greqi. Kush ka mundur e ka meremetuar shtëpinë e tij të vjetër dhe kthehet gjatë pushimeve të beharit për të kaluar disa ditë në qytetin e tij të lindjes.

E ndërsa endemi përgjatë kalldrëmeve të lagjes së vjetër, dëgjojmë një zë të njohur: "E si po ia shpini morë shokë?". Eshtë një i njohur i vjetër, Jorgo Papa, piktor amator. Jorgo, të cilin kolegët tanë më të rinj e pagëzojnë sakaq "profesori", si të gjithë piktorët këmbëngul të na njohë me pikturat e tij. "Ekspozita" e tij është një krejt e veçantë. Eshtë një dyqan ku mund të gjesh të gjitha mallrat e konsumit të përditshëm. Mbi biskotat, fletoret, paketat e cigareve, "profesori" ka rreshtuar me kujdes pasionin më të madh të jetës së tij: vizatimet dhe pikturat. "Këto që shihni këtu i kam thuajse të tëra të shitura", na thotë pa e fshehur krenarinë. Në oborrin e dyqanit të Jorgos na bën përshtypje një godinë hijerëndë. Prej saj kanë mbetur në këmbë vetëm muret e trasha prej guri. "Eshtë shtëpia e Vasil Melos - na e shuan sakaq kuriozitetin Jorgo - u dogj para disa kohësh. Eh kështu e kanë këto punët e pronësive". Jorgo i mirë pranon të na shoqërojë nëpër vendet e vjetra të qytetit të tij. Bën vapë e madhe dhe gurët e shumtë janë nxehur fort, porse për piktorin miku është gjithnjë mik.

Nëse doni të takoni një plakë të mençur të kësaj lagjeje, atëherë duhet të takoni teto Lenin - na kishte thënë Jorgo në dyqanin e tij ekspozitë - pastaj ajo është tezja e mikut tuaj, Filip Çakuli. Dhe kështu vendosim të zgjojmë nga gjumi i drekës teto Lenin. Na pret në oborrin e saj të mbushur me lule, së bashku me të shoqin, Barba Miçon. "Ah more djem, si ka qenë ky qytet më parë - rri e mendon një copë herë Teto Leni - ishte plot gjallëri, mbushur me djem e vajza të reja. Ne pastaj e kemi pasur zakon që të shkonim e vinim shumë te njëri-tjetri. Tani shikojeni edhe vetë… Kemi mbetur vetëm ne, pleq e plaka. Ǒtë bëjmë, kështu na erdhi jeta". Fëmijët e Lenit janë të gjithë në Greqi. "Unë sa herë vete të takoj fëmijët, mërzitem shpejt. Nuk paska si vendi yt. Rri ca ditë e kthehem. Po jam i bindur se edhe djali do kthehet. Ja, pa shikoni se si i ka rregulluar shtëpitë. Do kthehet, do kthehet sapo të rregullojë fëmijët". Teto Leni, Barba Miço dhe Jorgo, të cilin ajo e thërret Jorgaq, nisin të kujtojnë histori të vjetra se si shqiptarë e grekë jetonin bashkë dikur pa pasur probleme, por duke u bërë vëllamër me njëri-tjetrin. "Babai im shqiptar e kishte shokun e ngushtë. Kanë shkuar si vëllezër. E kështu ka qenë brez pas brezi, porse në 1997 dolën plot njerëz të liq që shtuan farën e helmit".

Në Xhemërhallë

Xhemërhalla është lagjja më e vjetër e qytetit. Këtu shtriheshin dikur dyqanet, xhamitë, hanet dhe teqetë që përshkruante Evlija Çelebiu në fillim të shekullit XVII. Tani drejt saj shkohet nëpër një shteg të pluhurosur, që gjarpëron nëpër disa kodra të mbushura me pemë. Jorgo bën me shenjë nga kodra më e afërt: Ja, kjo është kalaja. Në fakt, "kalaja" duhet konsideruar si fjalë e madhe. Ato që shohim nja 100 metra larg nesh janë disa rrënoja që mezi mbahen në këmbë. Vetëm një kullë katrore mund ta bëjë ndonjë që të kthejë sytë nga kalaja dikur e lavdishme. "E shkatërruan kur bënin zboret. Gurët u përdorën për fortifikime. Kanë bërë vërtet një kasaphanë", flet Jorgo me keqardhje.

Ca më tej kemi nisur ta ndjejmë freskinë që zakonisht rrethon burimet. Dhe vërtet hasim në një burim me pesë çezma. Disa harqe të rënda prej guri duhet të jenë mbetjet e kohës së shkëlqimit të vjetër. Më në fund kemi hasur në një monument që ia vlen të vizitohet. Një vajzë e vogël po kthehet nga shkolla. Çanta i është freskuar mirë e mirë në çezmën shumëshekullore dhe bashkohet me ne. Duket se monumentet e vjetra, të cilave u kalonte përditë pranë, tani kanë rënduar edhe më nga rruga e vaposur dhe plot pluhur. Miqësohet shpejt me ne, pasi /////////nsiur t‘i interesojnë vërtet. Edhe ajo bashkohet me grupin, që tani duket tamam si një grup turistësh.

Një burrë që banon aty pranë nga familja Arapi na tregon me radhë se çfarë ka mbetur ende në këmbë nga qyteti i vjetër. "Këtu shtrihej i tërë qyteti. Kalldrëmin e vjetër e kam arritur edhe vetë. Ishte i gjerë afër 6 metra. Nuk e di përse nuk e ruajtën. Këto që shihni - bën me shenjë nga dy ngrehina të gurta në formë tyrbesh - janë varre të pasanikëve të qëmotit. Ka pasur shumë këndej rrotull, porse vetëm këto të dyja kanë mbetur në këmbë". Shoqëruesit tanë hapin një gardh dhe brenda pak minutash e shohim veten në portën e një ndërtese të mbuluar nga gjelbërimi i thellë. Eshtë një hamam i vjetër, banjo turke, që për fat nuk është shembur akoma. Në vapën që kemi lënë pas, ia vlen të rrish në freskinë e mureve të gurtë, shumë të trashë. "Vazhdoka të kryejë funksionin", thotë njëri prej nesh duke fshirë djersën me shami.

Vetëm pak metra më tej jemi në një teqe. "Disa ekspertë që e panë thanë se është 600-vjeçare", thotë me krenari njëri prej miqve tanë, ndërsa ne zbathim këpucët në derën e teqesë së Baba Mirit. 600-vjeçare apo jo, teqeja duket fort e vjetër. Disa gurë me mbishkrime në osmanisht duket se janë spjegimi i vjetërsisë së saj. Grupi ynë qëndron disa kohë në heshtje para varreve hijerënda të baballarëve të parë të teqesë. Vajza e vogël na shoqëron sërish deri poshtë te çezma, pastaj merr udhën nëpër shtegun e pluhurosur drejt shtëpisë së saj. E shikojmë nga larg dorën e saj të vogël që tundet deri sa zhduket në një kthesë.

Poshtë, afër qendrës, na ka mbetur pa parë kisha dhe xhamia, dy objekte që qëndrojnë shumë afër njëri-tjetrit. Jorgo na spjegon me hollësi se si ishte kisha e vjetër, ajo që ishte afër rrepeve që janë shpallur monument kulture. Në vend të saj, mbi sheshin ku dikur ishin varrezat e krishtera, është ndërtuar prej kohësh një kishë e re. Një nga ato që i has kudo tani nëpër Shqipëri. Ca më poshtë ndodhet xhamia. Delvina është e njohur për ekzistencën e një xhamie shumë të madhe. Në vend të saj, një godinë standarde, njësoj si kisha e re. "Bashkëmoshataret" i ngjajnë aq shumë njëra-tjetrës, sa që na duket se mjafton të fotografojmë njërën prej tyre për t‘i spjeguar të dyja bashkë.

Jorgo na shoqëron deri në qendër, ku tashmë nuk ka mbetur asnjeri. Të gjithë janë strukur në shtëpi të rraskapitur nga vapa mbytëse. "E, si thoni? Po të jesh në Sarandë, me siguri që ia vlen edhe një vizitë në Delvinë". E sigurojmë që në Delvinë ia vlen të vish edhe po të mos jesh në Sarandë. Dhe jo vetëm për monumentet e saj ende të panjohura…

Kryeministri i Kongresit të Lushnjës

Asgjë nuk pipëtin në varrezat e dëshmorëve të Delvinës. Vetëm një erë e lehtë përkund pak gjethet e rrepeve shekullorë. Një varr në anë të murit rrethues duket se është fare i ri. Eshtë ai i Sulejman Delvinës (1871-1932). Eshtrat e tij janë kthyer në qytetin e lindjes vetëm para pak kohësh.

Ka një histori të trazuar më i shquari nga shumë burrat e Delvinajve. Kryen gjimnazin në Janinë dhe më pas studion në Stamboll. Pas studimeve emërohet pedagog i letërsisë në liceun e Gallatasarajit. Më pas punon si nëpunës i lartë në Ministrinë e Brendshme dhe në Kryeministri. Ishte partizan i flaktë i shkëputjes së Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Në 1911 ishte në krye të intelektualëve shqiptarë në Stamboll, që protestonin për vendin e tyre. Në 1919 shqiptarët e Turqisë e zgjodhën si përfaqësues të tyrin në Konferencën e Paqes në Paris. Në Kongresin e Lushnjës u zgjodh Kryeministër. Gjatë viteve 1920-1921 ishte deputet i opozitës dhe mori pjesë në Revolucionin e Qershorit. Pastaj kaloi disa vjet në mërgim politik, nga ku u kthye i sëmurë rëndë. Vdiq në spitalin e Vlorës në 1932.

Nga sanxhak në…

551 - Qyteti nis të zhvillohet pas shkatërrimit të Finiqit në 551 pas Krishtit. Këtu u vendosën për vetëmbrojtje organet politike dhe kishtare. Emri vjen nga strategu Delvu, i cili ndërtoi kështjellën, që u rindërtua më pas nga princi Mihal.

1119 - Në Mesjetë pushtohet me radhë nga sllavët, bullgarët, normanët. Në 1119 pushtohet nga anzhuinët.

1204-1261 - Bënte pjesë në Despotatin e Epirit.

1340 - Qeverisej nga princi Sava.

1372-1400 - Ishte selia e princit shqiptar, Gjin Aleksi.

Fillimi i shekullit XVI - Merr pamjen e plotë të një qyteti dhe bënte pjesë në Vilajetin e Vlorës.

1575-1581 - Krijohet Sanxhaku i Delvinës.

1537 - Ngrihet shkollë fillore në greqisht.

1592 - Fillon ndërtimi i një xhamie të madhe.

1595 - Selia e eksarkut Filothe.

Fillimi i shekullit XVII - Arrihet kulmi i lulëzimit të qytetit.

1670 - Evlija Çelebiu shënon: 80 dyqane, 3 shkolla, 10 çezma, 3 teqe, 1 hamam, 3 hane…

Fillimi i shekullit XVIII - Sanxhaku nis të drejtohet nga Mustafarajt vendas.

1689, 1704-1715 - Krahina përfshihet nga kryengritje antiosmane. Nis lufta për pushtet mes Kokajve dhe Mustafarajve.

1718 - Përgjysmohet popullsia nga murtaja dhe nga luftërat mes krerëve.

1737-1798 - Funksionon "Akademia".

Fillimi i shekullit XIX - Kishte 7500 banorë, 295 dyqane, 50 mullinj, 14 hane,

12 xhami, 7 tyrbe…

1811 - Bie nën sundimin e Ali Pashë Tepelenës.

1847 - Kryengritje kundër taksambledhësve osmanë.

1874-1878 Veprojnë Hasan Tahsini, Naim e Abdyl Frashëri.

1878 - Krijohet dega e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

1908 - Krijohet klubi kombëtar "Bashkimi".

Mars 1909 - Hapet shkolla shqipe.

1910 - Krijohet çeta e parë patriotike.

Dhjetor 1912 - Ngrihet flamuri shqiptar.

1913-1914 - Bëhet pre e shkatërrimeve nga ushtria greke.

Vitet ‘30 - Kishte 350 banorë dhe 300 dyqane.

Tetor 1944 - Çlirohet nga gjermanët.

1944 - 1990 Qytet që jetoi me industrinë e lehtë dhe ushqimore.

1992 - Qendër rrethi me një bashki e tri komuna.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›