Eto‘o sulmon gazetarin që e kritikoi në konferencë
Samuel Eto‘o nuk po përjeton një moment të lumtur në karrierën e tij dhe kjo shihet qartë nga nervozizmi që ka mbërthyer sulmuesin e Barcelonës. Futbollisti është në Kamerun, i grumbulluar me Kombëtaren për të luajtur kundër përfaqësueses së Kepit të Gjelbër për eliminatoret e Botërorit 2010 dhe Kupës së Afrikës. Por konferenca e tij për shtyp ka përfunduar me një zënkë ndaj një gazetari. Sulmuesi 27-vjeçar e ka goditur me kokë gazetarin në fjalë, duke i shkaktuar atij një të çarë në buzë, pasi ky i fundit e kishte kritikuar gjatë konferencës. Në zënkë janë përfshirë edhe truprojat e yllit të Barcelonës, të cilët i kanë shkaktuar një frakturë në dorë reporterit. Pas zënkës është identifikuar edhe "viktima", Filip Boni, gazetar i një radioje të Jaunde që e ka kritikuar gjithmonë sulmuesin. Por dukej se të gjithë ishin gati për një incident të tillë, pasi dy ditë më parë Eto‘o kishte fyer të gjithë të pranishmit në stërvitje. Drejtuesit e federatës së Kamerunit kanë marrë masat duke sekuestruar të gjitha kasetat filmike të konferencës dhe telefonat celularë që kishin filmuar zënkën e Eto‘o me gazetarin.