E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekleston këshillon Moslin: Më mirë jep dorëheqjen

Maks Mosli do të njohë të ardhmen e tij ditën e martë, kur do të mblidhet Këshilli Ndërkombëtar i Automobilizmit për të qartësuar situatën e presidentit të FIA-s, i përfshirë në një skandal seksual. Por duket se të gjithë janë të bindur se Mosli do të largohet nga drejtimi i FIA-s, pasi ka kundër pjesën më të madhe të kompanive që marrin pjesë në garat automobilistike. Vetë presidenti i Formula 1, Berni Ekleston, e ka ftuar atë përsëri që të japë dorëheqjen nga posti që mban, duke u larguar në mënyrë të ndershme dhe jo nëpërmjet një poshtërimi publik si votimi. "Unë jam mik i Moslit prej 40 vjetësh dhe do të më vinte shumë keq ta shihja ta shkarkonin nga detyra në këtë mënyrë, pas asaj që ka dhënë për këtë sport. Që në momentin kur ka dalë në dritë kjo histori, bota e Formula 1 është gjendur nën presion. Çdo drejtues i një kompanie të rëndësishme do të ishte larguar brenda 24 orëve dhe nuk e kuptoj pse Maks nuk ka bërë të njëjtën gjë. Mosli është një njeri i fortë dhe mendon se ka ende punë për të bërë te FIA, por sipas këndvështrimit tim, do të bënte mirë të deklaronte dorëheqjen gjatë asamblesë së nëntorit. Fantazitë e tij seksuale nuk kanë lidhje me atë që ka dhënë për FIA-n, duke punuar 16 orë në ditë. Ndaj e meriton të kujtohet nga të gjithë për punën pozitive dhe jo për këtë skandal. Kjo është arsyeja pse duhet të dorëhiqet dhe jo të shkarkohet pas një votimi", tha Ekleston.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›