Maqedonia të mos presë ftesë nga NATO
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, deklaroi se pa zgjidhje të pranueshme dhe të ndërsjelltë të çështjes së emrit, Maqedonia nuk duhet të presë ftesën për anëtarësim.
Rasmusen këtë e deklaroi dje në Uashington në kuadër të një seminari për mbrojtje dhe siguri të organizuar nga Aleanca.
Të gjitha vendimet në NATO sillen në bazë të koncensusit, dhe kjo përfshin edhe Greqinë. Për të dërguar ftesën në adresë të Shkupit, duhet mbështetja e Greqisë. Unë e kuptoj se Greqia nuk ka vullnet për të bërë një ftesë të tillë derisa nuk gjendet zgjidhje e ndërsjelltë për emrin. Kështu kemi vendosur në Bukuresht në vitin 2008 dhe ai vendim akoma është në fuqi, deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen.
Ai ka shtuar se personalisht do të dëshironte që të dërgonte ftesën për anëtarësim në Shkup, mirëpo siç tha Rasmusen realiteti është se nevojitet konsensus në kuadër të NATO-s.
Ai i bëri thirrje kryeministrit Nikolla Gruevski që të tregojë fleksibilitet dhe pragmatizëm dhe se një porosi e njëjtë i është dhënë edhe Athinës. / INA