Maqedonia:Nuk do aplikojmë viza për Shqipërinë e Kosovën
Disa media në Shkup kanë publikuar lajmin se ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë po përgatitet për të aplikuar viza hyrëse për qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës, pas hyrjes së Maqedonisë në listën e bardhë të Shengenit. Ministrja e Punëve të Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska nuk e ka mohuar ndërkaq se nuk do të ketë viza për qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë pas 19 dhjetorit kur Maqedonia të përfshihet në zonën e "Shengenit të bardhë". Jankullovska ka theksuar se qeveria e Maqedonisë nuk ka diskutuar deri tani rreth kësaj çështjeje. Sipas disa burimeve mediatike te afërta me opozitën, bëhet e ditur se aplikimi i vizave për shtetasit shqiptarë dhe ata të Kosovës pritet të jetë një nga alternativat që po shqyrtohet pranë Ministrisë së Jashtme. Aplikimi eventual i vizave do të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm. edhe pse në Ministrinë e Jashtme të Maqedonisë nuk janë deklaruar deri tani lidhur me këtë çështje, zëdhënësi i Qeverisë, Shefik Duraku në mënyrë kategorike i përgënjeshtron informacionet e prezantuara nga mediat për gjoja aplikimin e vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës. Është fakt- thotë ai se në disa mediume ka patur shkrime për aplikimin e vizave, por ato janë bazuar gjithnjë në burime anonime. sipas tij "Është e palogjikshme të vendosen viza për qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës për shkak se Maqedonia nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, dhe kufiri i BE-së është larg Maqedonisë, prandaj është krejt e panevojshme, është jo praktike dhe është jo reale që të vendosen viza për qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës," thotë zëdhënësi i qeverisë Shefik Duraku. Gjithnjë sipas tij, Maqedonia dhe Shqipëria kanë nënshkruar marrëveshjen që u mundëson lëvizje të lirë qytetarëve të të dyja shteteve. Aplikimi i vizave është çështje e vullnetit të lirë dhe disponimit politik të strukturave që menaxhojnë me pushtetin. Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni Arben Çejku, kohë më parë hodhi poshtë zërat se nga 1 janari i vitit të ardhshëm Maqedonia do të vendosë regjimin e vizave për shtetasit e Shqipërisë. Ai ka shtuar se aplikimi i vizave bëhet atëherë kur Maqedonia të jetë anëtare e barabartë e BE-së.