E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urdhri “Nderi i Kombit” për piktorin Lin Delija (pas vdekjes)

TIRANE- Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekoroi sot me Urdhrin “Nderi i Kombit” piktorin e shquar shqiptar, Lin Delija (pas vdekjes) me motivacionin: “Piktorit të madh shqiptar, që me artin e tij pasqyroi lidhjen e fortë me atdheun dhe promovoi vlerat e lirisë dhe të demokracisë. Artistit autentik dhe përfaqësues në botë, i cili shndërroi temën shqiptare në vlerë universale, artin e tij në trashëgimi të përjetshme dhe urë komunikimi mes popujve”.
Të ftuar me këtë rast në Presidencë ishin personalitete të larta të artit dhe të kulturës në vend, kolegë, miq e të afërm të piktorit, si dhe Ambasadori italian në vendin tonë, Saba D’Elia.
“Natyrisht, jemi mbledhur në këtë ceremoni sot për të nderuar një nga ato figura, për të cilat ne, me të drejtë krenohemi, Lin Delinë, njërin prej piktorëve më origjinalë bashkëkohorë shqiptarë, është njëkohësisht edhe më i veçanti për fatin dhe për aktivitetin e tij. Ai i ka munguar shumë gjatë Shqipërisë, si bir dhe shprehës gjenial i etosit dhe i shpirtit shqiptar. Më në fund ai po kthehet nga rrugëtimi i nisur më se gjashtë dekada më parë në kërkim të lirisë dhe të mundësisë së shprehjes të shpirtit të tij artistik” u shpreh Presidenti Topi.
Nën kujdesin e Presidentit Topi, dhe në bashkëpunim me Komunën Antrodoko dhe shoqatën “Lin Delija” në Itali, u përurua në mjediset e Presidencës një ekspozitë me vepra të përzgjedhura të piktorit të shquar shqiptar.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›