Maradona: Nëse prekin një nga të mitë, iki
Diego Armando Maradona kthehet të flasë për të ardhmen e tij dhe për telenovelën e rinovimit të kontratës me Kombëtaren e Argjentinës. “Këtë javë do të vendos nëse do të vazhdoj apo jo. Unë kam shumë dëshirë të vazhdoj të jem trajneri i Kombëtares, por varet nga Gordona, nga ajo që ai do dhe nëse e pranon atë që unë do t’i kërkoj”. Problemi me federatën mund të jetë i lidhur me bashkëpunëtorët: “Nëse më prekin qoftë edhe një nga njerëzit e mi të stafit, do të iki”. Pra, nuk mbetet gjë tjetër veçse të presim edhe një tjetër pjesë. Një tjetër problem për t’u zgjidhur me Federatën Argjentinase është ai i lidhur me mikun e tij, Oskar Ruxheri, si zëvendës i tij. “E kam kërkuar dhe do të vazhdoj ta kërkoj që Ruxheri të vijë të punojë me mua. është një luftë konstante. Kjo është gjëja e parë që unë do të diskutoj me Gordonën dhe nëse nuk do të pranojë, unë do të iki”. Ndërsa duke u rikthyer të flasë për Botërorin 2010, Maradona konfirmon: “Grupi ka punuar shumë mirë gjatë turneut. Kemi bërë një lojë të mirë... deri në ndeshjen me Gjermaninë. A e kam parë atë ndeshje më? Nuk do ta bëj kurrë. Maradona është rikthyer në atdhe nga Venezuela, ku ishte për një vizitë te Presidenti çavez. Shpresoj që takimi mes Maradonës dhe Gordonës të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse kjo pritje rraskapitëse nuk bën asgjë tjetër, veçse e rëndon akoma edhe më shumë situatën. Shpresojmë të mos zgjasë shumë”, ka thënë Gaston Granados, kryebashkiaku i Tristan Suarez (dhe eksponent i partisë në pushtet), i cili gjatë heshtjes së gjatë të Maradonës është kujdesur të bënte “zëdhënësin” me shtypin dhe me drejtuesit e AFA-së. “Ia kisha shpjeguar Gordonës, se Diego do të shkonte në Venezuelë, por dukshëm kjo pritje e gjatë nuk është marrë mirë. Gjëja pozitive është se shumë shpejt do të takohen dhe mund të sqarohen”, shkruante e përditshmja “Olé”. Sipas tij, “vazhdimësia e Maradonës në pankinën albiçeleste varet shumë nga kapaciteti i Maradonës për të bërë autokritikë në lidhje me Botërorin 2010 dhe të pranojë disa direktiva që presidenti i federatës do të sugjerojë me siguri”. Pritja e gjatë për takimin e parë kokë më kokë mes Maradonës dhe Gordonës pas eksperiencës afrikanojugore nuk bën asgjë tjetër, veçse shton dyshimet dhe spekulimet në lidhje me të ardhmen e Selesionit, dhe është e mundur që takimi të shtyhet edhe më shumë, sepse shqetësimet aktuale të Maradonës janë të lidhura me probleme shumë më serioze.
#