Baloteli te Siti Mino Raiola: Nuk ka firmosur ende
Mario Baloteli ka gjetur marrëveshjen me Mançester Sitin. Miratimi përfundimtar ka ardhur gjatë natës së të shtunës, pastaj është pasuar nga festa surprizë e miqve më të afërt të tij për t’i uruar fat te skuadra e re. Sipas “Gazzetta dello Sport”, janë vendosur edhe firmat në një kontratë 4 vjeçare për 4 milionë euro në sezon. Shifra të rëndësishme, si për një futbollist të madh. Ishte pikërisht kjo ajo që “parashikonte” talenti thuajse 20-vjeçar i futbollit italian, i cili është klienti i Mino Raiolas, një tjetër numri një në fushën e tij, atë të menaxherëve. Gjithsesi, Mario është nisur me Interin, sepse ende do të duhet të formalizohet marrëveshja mes klubeve dhe sepse edhe Mançini është tashmë atje, në SHBA, ku e pret në skuadrën e tij. Pra, brenda pak orëve Inter e Siti duhet ta mbyllin marrëveshjen (30 milionë euro, plus bonueset lidhur me paraqitjet dhe golat, për një total prej 35 milionë eurosh), pastaj Mario do të jetë i lirë ta lërë fazën përgatitore me Interin në Filadelfia dhe të shkojë te skuadra e tij e re, e cila mes të tjerash, të mërkurën në mbrëmje (të enjten në mëngjes), do të luajë kundër meksikanëve të Club America në “Xhorxhia Dome Stadium” të Atlantas. Të shtunën, më 31 korrik, është programuar në Baltimora një ndeshje Inter-Mançester Siti. Por nuk është për t’u përjashtuar që pikërisht atë natë Mançini të evitojë aktivizimin e menjëhershëm të beniaminit të tij përballë ish-shokëve të skuadrës: për sentimentalizëm dhe paksa për ta “mbrojtur”. Sipas gazetë angleze, "News of the World", në zyrat e drejtuesve të klubit anglez qarkullon prej kohësh një DVD me “kapriçot” më të diskutueshme të sulmuesit interist. Por që duket se nuk e ka impresionuar aspak Roberto Mançinin. Mësohet se Baloteli e ka përshëndetur personelin e Pietinës, duke i paraprirë një kalimi të tij te Mançesteri. “Shihemi në Mançester”, mësohet të ketë thënë Super Mario para se të niset me skuadrën zikaltër për fazën përgatitore në SHBA. Marrëveshja është thuajse e mbaruar, sipas disa mediave italiane, por problemi i vetëm mbetet rroga e baby-fenomen, ndërsa frenon menaxheri i tij, Mino Raiola. “Nuk ka firmosur ende, dhe dyshoj se një marrëveshje e plotë do të arrihet të ditët e ardhshme”, ka thënë menaxheri për “Ansa”-n. Menaxheri shumë i diskutueshëm italo-holandez, e di që marrëveshja mes dy klubeve ka mbaruar tashmë, por Siti nuk e ka kënaqur ende futbollistin. Gjithsesi, duket se në orët e vona të ditës së djeshme është arritur një marrëveshje për një rrogë prej 4 milionë eurosh në sezon.
#