“Xhaferri”, kërkohen 12 milionë dollarë
Borxhi prej 12 milionë dollarësh i piramidës “Xhaferri”, i kërkohet Asllan Xhaferrit, djalit të vogël të Rrapush Xhaferrit ish-bosit të kompanisë rentiere.
Kërkesa për kthimin e borxhit një miliardë e 227 milionë lekë të reja, është depozituar në Gjykatën e Tiranës, paraditen e së enjtes nga Administratorët e Fajdeve në ngarkim të të vetmit djalë të Xhaferrit që ka përfunduar problemet me drejtësinë. Referuar të dhënave zyrtare të Gjykatës së Tiranës kjo çështje mban numrin 2068 dhe rezulton të jetë regjistruar më datë 24 qershor 2010. Pala kërkuese është Administratori i Pavarur i Fondacionit “Demokracia Popullore-Xhaferri”, i cili në bazë të neneve 510-526 të Kodit të Procedurës Civile kërkon lëshimin e urdhrit për ekzekutimin e vendimit të administratorëve numër një, datë 7 mars 2001, ndaj Asllan Xhaferrit. Pas procedurave të shortit elektronik në gjykatë dosja rezulton t’i jetë dorëzuar gjyqtares Fatime Deçolli, e cila pritet që në ditët në vazhdim të caktojë seancën e parë për këtë çështje. Aktualisht, Asllan Xhaferri është i lirë, pasi përfundoi dënimin me burgim për bashkëpunim me të atin dhe dy vëllezërit më të rritur në krijimin e firmës piramidale. Asllani, është i vetmi nga djemtë e Xhaferrit që tashmë ka përfunduar problemet me drejtësinë, ndërsa dy vëllezërit e tij më të rritur Përparim dhe Pëllumb Xhaferri aktualisht ndodhen në kërkim. E njëjta kërkesë u depozitua në Gjykatën e Tiranës një muaj më parë nga administratorët e fajdeve ndaj ish-bosit të piramidës Rrapush Xhaferri, i vdekur në burg në maj 2004. Më 7 qershor 2010 gjyqtarja Majlinda Doga vendosi ta pranonte këtë kërkesë duke lëshuar urdhrin e ekzekutimit për vendimin numër 1/1, datë 7 mars 2001 të Administratorit të Pavarur të Fondacionit “Demokracia Popullore-Xhaferri” shpk në administrim ndaj debitorit Rrapush Xhaferri, me adresë në Tiranë, për shumën prej 1 miliardë e 227 milionë lekë të reja. Pika e dytë e vendimit ishte urdhërimi i Zyrës së Përmbarimit Tiranë për ndjekjen e zbatimin e këtij vendimi. Por vdekja në qeli e Xhaferrit 6 vite më parë, u bë shkak që e njëjta kërkesë të depozitohej në gjykatë, tashmë ndaj trashëgimtarit të tij. Gjykata argumentoi në vendimin e shpallur tre javë më parë se: “Nga shqyrtimi gjyqësor i çështjes rezulton se me vendimin numër 1/1, datë 7 mars 2001 Administratori i Pavarur i Fondacionit “Demokracia Popullore-Xhaferri” shpk në administrim, ka shpallur debitor Rrapush Xhaferrin, në shumën 1.227.000.000 lekë të reja. Konformë nenit 5 të ligjit numër 8471, datë 8 prill 1999 “Për nxjerrjen e detyrimeve debitore dhe rikthimin e vlerave pasurore në llogaritë e personave juridikë jobankarë që kanë marrë hua nga publiku i gjerë”, vendimi i administratorit konsiderohet titull ekzekutiv. Në zbatim të nenit 511/ç të Kodit të Procedurës Civile, për zbatimin e këtij titulli ekzekutiv gjykata duhet të lëshojë urdhrin e ekzekutimit.
Xhaferri u mori paratë 1.2 milionë kreditorëve
TIRANE - Rrapush Xhaferri,ish-bosi i kompanisë rentiere “Demokracia Popullore-Xhaferri”, u detyrohet 1.577.878.600 lekë të reja, 1.188.372 kreditorëve. Kaq është shuma që është llogaritur nga organi i prokurorisë gjatë procesit gjyqësor ndaj Xhaferrit dhe tre djemve të tij. Po kështu,edhe gjykata në përfundim të shqyrtimit gjyqësor i pranoi këto shifra. Në përfundim të procesit, Gjykata e Tiranës vendosi të dënonte me 18 vjet burg Rrapush Xhaferrin, 8 vjet djalin e tij të vogël, Asllanin dhe nga 12 dy djemtë e tij më të mëdhenj, Pëllumbin dhe Përparimin, të cilët aktualisht ndodhen në kërkim. Vetë Xhaferri vdiq në burg në maj 2004, si pasojë e një kompleksi sëmundjesh me karakter të ftohti, vetëm pak ditë pasi gjykata i refuzoi kërkesën për lirim, për arsye shëndetësore. Katër vite më vonë, djali i tij i vogël Asllani përfundoi dënimin, ndërsa tashmë këtij i duhet të përballet me administratorët e fajdeve që i kërkojnë borxhet e të atit. fa.ma.