E Shtunë, 31 Tetor 2026

LAJME SHKURTE



ELBASAN/ Drogë e armë në makinë, 3 në pranga

ELBASAN - Tre persona nga qyteti i Pogradecit u arrestuan me drogë në orët e para të mëngjesit të djeshme, në afërsi të vendit të quajtur “Ura e Lizës”. Një kontroll i policisë në makinën e tyre, me targë të Tiranës, u bllokuan 5 kg kanabis sativa. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Elbasanit, në pranga janë vënë: Ilir Jaupllari, 31 vjeç, Roxhenc Nuçellari, 27 vjeç, si dhe Elton Abroshi, 24 vjeç. Mësohet se makina e djemve ka qenë nën vëzhgim nga agjentë të Policisë së Tiranës, të cilët më pas kontaktuan me ata të Elbasanit. Veç drogës, e cila ishte fshehur poshtë sediljeve të parme, u bllokua në makinë dhe një armë TT. Dyshohet se droga ishte e blerë në qytetin e Fierit. Ndaj të rinjve rëndon akuza e transportit të lëndëve narkotike dhe e armëmbajtjes pa leje.

DEVOLL/ Kanabis dhe 1 rrënjë opium, në pranga

DEVOLL - Policia e komisariatit të Devollit ka arrestuar një 17- vjeçar, pasi akuzohet se në oborrin e shtëpisë ka mbjellë disa rrënjë kanabis sativa dhe bimë të ngjashme me opiumin. P.Dimçe, banori i fshatit Vranisht është prangosur në flagrancë nga forcat e policisë, pas kontrollit të ushtruar në tokën përreth shtëpisë së tij. Policia bëri të ditur se nga verifikimi i imtësishëm u zbuluan 15 bimë të kanabis sativa si dhe një bimë tjetër që dyshohet për opium. Bimët e drogës ishin mbjellë në oborrin e shtëpisë dhe për to përgjegjësia i është vënë adoleshentit. Policia i ka asgjësuar në vend bimët, të cilat nuk e kishin arritur fazën e pjekjes.

SHKODER/ Godina e bashkisë hap dyert për artistët

SHKODER - Bashkia e Shkodrës hap dyert e saj për artistët vendas. Në dobi të zhvillimit të artit dhe kulturës si dhe për të promovuar punën e artistëve, ky institucion ka shndërruar hollin e tij në ekspozitë. çdo fundjavë, holli i bashkisë do të jetë në dispozicion të artistëve si dhe të qytetarëve që do shijojnë punimet e paraqitura. Ekspozita e parë që shënoi dhe startimin e kësaj risie ishte e piktorit Skënder Strica, me temë "Nostalgji dimri". Punimet kishin në qendër peizazhet me dëborën e rënë shkurtin e vitit të kaluar në Shkodër, moment të rralla këto që ishin hedhur në telajo me mjaft mjeshtri dhe origjinalitet nga piktori. Godina e Bashkisë Shkodër, e ndërtuar rreth 100 vite më parë, shquhet për arkitekturën e veçantë të saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›