E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berluskoni në samitin e G8 me ish-barbin e sfilatave



Kryeministri italian, Silvio Berluskoni ka tërhequr sërish vëmendjen e mediave për shoqërueset, ndërsa një bionde misterioze është fotografuar duke zbritur nga avioni i tij për në takimin e G20 në Toronto, Kanada.

Ajo është parë të zbresë e fundit nga avioni, si për të mos tërhequr vëmendjen e mediave, kur Berluskoni ishte takuar me autoritetet kanadeze dhe po qeshte me Ministrin kanadez të Transporteve, i cili ishte në delegacionin e dërguar për të pritur kreun e Qeverisë italiane. Gruaja ishte veshur me të bardha, kishte flokë të gjatë të verdhë që i mbulonin fytyrën dhe u përfshi menjëherë në qendër të diskutimeve për vetë misterin që mbarte, një grua e panjoftuar dhe deri diku e panjohur në stafin e Kavalierit. Sipas të dhënave nga stafi i shërbimit të liderëve të samitit, ajo ka marrë pjesë edhe në darkën e mirëseardhjes, të ofruar nga Qeveria kanadeze, madje ka rënë edhe në sy të delegacioneve të tjera të pranishme në hotelin që pret liderët e G8-ës. Mbi identitetin e saj, zyra e shtypit të Berluskonit nuk kishte dhënë asnjë detaj. Por zbulimin mbi të e ka bërë gazeta “La Repubblica”. Biondja e re thuhet se është Federica Gagliardi. Kryeministria italiane përsëri nuk bën asnjë deklaratë. Gagliardi me sa duket është anëtare e komitetit të Renata Polverinit. është 28 vjeçe, në të kaluarën ka qenë modele, dhe ka pasur një pseudonim shumë të njohur në kohën kur pozonte, “Barbi”. Dhe tani është shefe e sekretarisë së Sekretares së Përgjithshme të rajonit Lacio. Sipas thashethemeve të mbledhura nga “La Repubblica”, takimi i parë i Kryeministrit me vajzën ka qenë në fushatën elektorale rajonale, ku ai kishte mbetur i goditur nga vajza e re e stafit të Presidentes së ardhshme të rajonit dhe kishte kërkuar menjëherë që ta prezantonin me të. Që pas këtij prezantimi, papritur bukuroshja shfaqet në stafin diplomatik të samitit të G8-ës në Toronto. Por me çfarë titulli duhet të jetë prezantuar atje? Sipas disa citimeve nga delegacioni italian, Gagliardi kishte paraqitur një kërkesë për të qenë pjesë e një misioni ndërkombëtar. Meqë në pozicionin e sekretares së rajonit Lacio ajo nuk mund të nisej për në Toronto, vajza e re është thirrur si sekretare e “skuadrës” italiane. Gruaja ishte ulur pas Kryeministrit Berluskoni gjatë darkës së pritjes, dhe pamja e saj e hijshme ka nxitur shumë të huaj të pyesnin se kush ishte.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›