Maradona kritikon ‘dinozaurin’ FIFA

Legjenda e futbollit, argjentinasi Diego Maradona ka thënë se korrupsioni dhe skandalet e kurdisjeve që kanë goditur Federatën Botërore të Futbollit (FIFA) do të vazhdojnë përderisa asociacioni të udhëhiqet nga një “dinozaur”.
Maradona është në Dubai, ku ka ardhur për të nënshkruar kontratën e tij dyvjeçare në postin e trajnerit të skuadrës lokale, Al Wasl.
Maradona tha se FIFA është udhëhequr keq në vitet e fundit dhe kritikoi rizgjedhjen e Sepp Blatterit për mandatin e tij të katërt në postin e presidentit.
“Blatter kurrë nuk ka goditur një top”, tha Maradona 50 vjeç, i cili theksoi se një ish-futbollist do të duhej të ishte në drejtim të FIFA-s, por nuk e sugjeroi askënd.
Maradona ka qenë pa angazhim prej kur udhëhoqi Argjentinën drejt çerekfinales në Kampionatin botëror 2010, në Afrikën e Jugut.
Klubi nga Dubai nuk ka publikuar detajet e kontratës, ndërsa Maradona ka mohuar njoftimet se do të paguhet 10 milionë dollarë në sezon.