E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maradona ne Dubai si trajner i nje skuadre vendase

Nuk mund të përfundojë kurrë një legjendë si Diego Armando Maradona. Emri i tij tërheq, duke vazhduar të lëshojë dritë verbuese për shkak të karrierës së tij galaktike si futbollist. Tashmë, ai ka mbërritur në Dubai dhe në këtë vend të Lindjes së Mesme do të jetë trajner i skuadrës, Al Uasl.

Një pritje e shkëlqyer, serioze dhe tepër e ngrohtë për Diegon, i cili në vendin arab ka shkuar bashkë me shoqen e tij, Veronika Oheda. Presidenti i klubit, Maruan Bin Bajat, nuk harron të bëjë nderet e rastit, që i takojnë si zot shtëpie, madje miku i shquar, por tepër ekstrem, pyetet edhe për shijen e kafesë.

Diego thotë se është i lumtur që ndodhet në Dubai dhe se do të punojë atje, një vit pasi u largua nga drejtimi i skuadrës përfaqësuese të Argjentinës. Nuk mund të mungonin pyetje lidhur me agjërimin e futbollistëve, meqë jemi në muajin e Ramazanit dhe Maradona thotë se në mendjen e tij ka ndërtuar një plan stërvitor me orare të ndryshme, sipas nevojave.

Pritja përfundon dhe Diego ngjitet në makinë, ku edhe aty nuk mund të shpëtojë nga tifozët që duan foto me të, ndërsa i dhurohet një fshirëse këpucësh.

Kjo për spektaklin dhe shumë shpejt nis puna në skuadrën që i përket Grupit Mbretëror të Emirateve, që së fundi bleu edhe skuadrën spanjolle, Malaga.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›