Misteri Cana

I ardhur në Romë me aprovim dhe entuziazëm të shumicës, tash për shumicën është një objekt misterioz. Lorik Cana i nevojitej Lazios? Në cilën pozitë mund të luajë? Këto janë disa nga pyetjet që tifozët ia bëjnë njëri-tjetrit. Ai, Loriku, nuk mendonte se do ta kishte një rënie aq të madhe për një kohë aq të shpejtë.
Nuk është ende në formë (edhe pse në stërvitje ka bërë të shihen gjëra të mira), por vendosmëria për punë është vendimtare. Cana e ka përpara një rrugë të rëndësishme, por ai po has në vështirësi më shumë se të tjerët për të hyrë në formë.
Edy Reja e sheh vetëm si mesfushor qendror, në 4-3-1-2 mund të jetë alternativë e Ledesmës e Matuzalemit, por nuk mund të luajë si mesfushor krahu, sipas trajnerit italian. Për këtë, shqiptari beson në rikthimin e formacionit 4-2-3-1, me dy mesfushorë qendrorë, ku do të mund të luante në formacionin e parë së bashku me njërin nga Ledesma e Matuzalem.
Cana shpreson në një ndryshim nga e mërkura, kur Lazio rifilloi përgatitjet në qendrën sportive Formello. Loriku është i vendosur t’i tregojë kualitetet e tij. Deri tash ka zhgënjyer, ka hasur në vështirësi të ambientohet dhe ta gjejë vetën në fushë.
Siç raporton e përditshmja Corriere dello Sport, Reja e ka provuar shpesh në 4-2-3-1, por nuk ka lënë asnjëherë një shenjë, duke u treguar i ngathtë dhe i ngadaltë e duke lënë shumë dyshime.
Natyrisht, muaji gusht gjithmonë sjell të papritura në futboll, kështu që Cana nuk duhet të dorëzohet qysh tash. Igli Tare ka insistuar ta sjellë në Lazio. Ai beson shumë në Lorikun, janë shokë dhe drejtori sportiv i ‘Biancocelesti’ ka vënë bast për përfaqësuesin shqiptar.
Për momentin, Cana është i vetmi dyshim në mesfushën e Lazios, duke hapur diskutime të shumta. Ai nuk ka bindur dhe shumë njerëz besojnë se është e nevojshme që Lazio të përforcohet në atë repart për t’ia mundësuar Rejas që të punojë në qetësi dhe me kualitet në dispozicion.
Shumëçka do të varet këto ditë. Nëse trajneri italian bindet për ta përdorur formacionin 4-2-3-1 dhe nëse Cana fillon t’i shfaqë kualitetet e tij, Lazio mund të mos u rikthehet përforcimeve.
Ta gjejë formën më të mirë dhe ta bind Rejën për investimin e duhur, ky është misioni i Lorikut, i cili nisi t’i ndezë motorët të mërkurën. Është një luftarak, por ka nevojë ta demonstrojë këtë në Lazio menjëherë.