Maradona nuk duron dot me Do ta hedh Grondonen ne gjyq
Mendimi që nuk është rikonfirmuar në pankinën e kombëtares së Argjentinës nuk i jep qetësi Diego Armando Maradonës as në periudhën e pragut të Krishtlindjeve. Kështu që, i intervistuar nga e përditshmja argjentinase “El Clarin”, ish-ylli i Napolit bën të ditur se do të hedhë në gjyq presidentin e Federatës Argjentinase (dhe njëkohësisht zëvendëspresident i FIFA-s) Hulio Grondona, i cili ishte edhe protagonisti kryesor i largimit të tij. Pasi i ka përkufizuar të “pakëndshme” marrëdhëniet e tij me Maradonën, Grondona kishte thënë se sjellje të tilla të ish-trajnerit të kombëtares nuk duhet të merren në konsideratë, pasi ato motivohen nga fakti që ai ka ende probleme nga varësitë, të cilat influencojnë në humorin e tij.
Dueli – “Ka një motiv për shkak të të cilit ndodhin disa gjëra dhe të gjithë e dimë se kush është”, kishte thënë Grondona. “Do të kisha dashur t’i kaloja në paqe këto festa, ka replikuar ish-‘El Pibe de Oro’, por tani duhet të kujdesem për një argument, të cilin mendoja se e kisha kaluar. Nuk i përgjigjem më Grondonës, pasi për këtë do të kujdesen direkt avokatët e mi. Do ta hedh atë në gjyq për gjithçka që ka thënë. Avokatët e mi po e ekzaminojnë çështjen. Nuk i duroj dot më gjëra të tilla, Grondona nuk është mirë nga mend e kokës”. Maradona e ka përkufizuar gjithashtu budalla ish-drejtuesin e tij: sipas spanjishtes së folur në Argjentinë, kjo fjalë i referohet një njeriu të moshuar që i ka ikur truri. “Është e dhimbshme për mua ta dëgjoj të thotë të tilla gjëra, shprehet sërish Maradona në lidhje me Grondonën. Ai e di që 80% e gjërave nuk janë kështu”.
Akuza – Pastaj vjen një akuzë e rëndë për dy ish-bashkëpunëtorët e tij, të cilët tani janë ulur në drejtimin e Argjentinës: “Është futur në një situatë të shëmtuar (Grondona), ka thënë Diego, sepse duke parë që ai flet për problemet e mia dhe për varësitë e mia, unë dua t’i rikujtoj se brenda stafit të kombëtares ka futur 'Chechon' Serxhio Batista dhe Alberto Rodriguez, që kanë pasur të njëjtin problem me mua”. “Kur isha në Itali, përfundoi ai, Hoze Altafini më tregonte se kur Bilardo erdhi të luante te Estudiantes kundër Milanit ishte i zhytur në drogë deri në fyt”.