Maradona nuk e shikon Argjentinën

Legjenda e Argjentinës, Diego Maradona ka thënë se nuk e ka shikuar ekipin kombëtar prej kur u shkarkua nga posti i selektorit vitin e kaluar dhe nuk ka dëshirë të kthehet t’i udhëheqë ata. 50 vjeçari ishte selektor i Argjentinës gjatë Kampionatit botëror 2010 në Afrikën e Jugut, por u shkarkua pas humbjes 4-0 nga Gjermania në çerekfinale.
Në maj, ai u emërua trajner i ekipit nga Dubai, Al-Wasl në ligën e Emirateve të Bashkuara Arabe.
“Prej kur jam larguar nuk e kam shikuar ekipin e Argjentinës. Dhe nuk mendoj se do t’i shikoj ata sërish”, tha Maradona gjatë një interviste me të përditshmen sportive spanjolle AS, i pyetur nëse ka përcjellë fitoret e fundit të Argjentinës ndaj Venezuelës dhe Nigerisë.
I pyetur nëse do të dëshironte një rast të ri si selektor i Argjentinës, ai u përgjigj: “Nuk mendoj për këtë, dua të bëj diçka të madhe me Al-Wasl. Dua të punoj në qetësi, dua të jem larg nga njerëzit me karakter të keq”. Prej kur humbi punën e tij, Maradona disa herë ka kritikuar Julio Grondonan, i cili nga viti 1979 është në krye të Federatës së Futbollit të Argjentinës duke e quajtur të “vjetër” dhe “të korruptuar”.
Zëvendësuesi i Maradonës te Argjentina, Sergio Batista – ish fitues i Kampionatit botëror 1986 – u shkarkua si selektor pas paraqitjes dëshpëruese të ekipit në Copa America si nikoqir në korrik. Ai u zëvendësua nga Alejandro Sabella, ekipi i të cilit mposhti Venezuelën 1-0 në Kolkata dhe Nigerinë 3-1 në Dhakha në miqësoret e mëhershme të këtij muaji. Prej kur erdhi në Al Wasl, Maradona ka thënë se “nuk kam munguar në asnjë minutë të stërvitjeve.
Këtu mbretëron temperaturë prej 54 shkallësh, por nuk ankohem. Jam i lumtur me njerëzit arabë, me djelmoshat që kemi në staf”. Maradona ishte selektori i parë që i dha shiritin e kapitenit sulmuesit Lionel Messi dhe është i lumtur që Sabella e ka përcjellë shembullin e tij. “Më bën të lumtur sepse ai është djalosh i mirë, e meriton.
Kur përfundoi pas Cristiano Ronaldos i thash: “Kjo është hera e fundit që do të lejoj”. Ai më tha, ‘si?’ dhe tani kurrë nuk del i dyti në asgjë”, theksoi ai. Maradona është futbollisti më i madh në historinë e Argjentinës, pasi udhëhoqi Kombëtaren e tij drejt titullit të dytë në Kampionatin botëror 1986 në Meksikë dhe përfundimit në pozitën e dytë katër vite më vonë në Itali. Ai bëri 91 paraqitje për Argjentinën dhe shënoi 34 gola gjatë karrierës që zgjati 21 vite, gjatë së cilës luajti në Argjentinë, Spanjë dhe Itali. Al-Wasl fillon sezonin e ri në Pro League më 15 tetor, kur pret në shtëpi Sharjah SC.