Më mirë se vitin e kaluar

Lazio e zhvilloi ndeshjen e parë në sezonin e ri në Serie A të shtunën mbrëma duke shfaqur paraqitje mjaft pozitive në barazimin 2-2 në San Siro, me kampionin në fuqi Milan. Skuadra romake ishte në epërsi prej dy golave pas vetëm 21 minutave lojë nëpërmjet shënimeve nga përforcimet e reja Miroslav Klose dhe Djibril Cisse.
Mirëpo, Milan u kundërpërgjigj duke barazuar rezultatin para përfundimit të pjesës së parë dhe i tillë mbeti deri në fund, kur skuadrat ndanë pikët në ndeshjen që shënoi fillimin e sezonit në Serie A. Ai që solli Klosen dhe Cissen në Lazio, drejtori sportiv i klubit romak Igli Tare ka treguar rëndësinë e dyshes sulmuese për ekipin e Edy Rejas.
“Ishte vështirë t’i sjellim në Lazio, por dëshira e tyre për të ardhur këtu e bëri dallimin. Kemi një sistem të lojës që i përshtatet shumë karakteristikave të tyre dhe me kualitetet që kanë mund të jenë vendimtarë në rezultatet e ekipit”, tha Tare pas ndeshjes për Sky Sport 24. Ish reprezentuesi shqiptar ka zbuluar objektivin kryesor të ekipit për sezonin e ri. Ai është i qartë, thotë se Lazio duhet të arrijë më tepër se sezonin e kaluar, kur përfundoi në pozitën e pestë në Serie A.
“Objektivi? Të paraqitemi më mirë se sezonin e kaluar pasi me përforcimet e bëra gjatë afatit kalimtar të verës mund të jemi konkurrent”, shtoi ai. Tare i dha shpresë mesfushorit kosovar Lorik Cana, por edhe përforcimeve të tjera të ardhura këtë verë në Lazio, të cilët aktualisht nuk zënë vend në formacionin bazë. “Sezoni është i gjatë, do të ketë hapësirë për të gjithë futbollistët”, theksoi Tare. Në përgjithësi, ai u nda i kënaqur nga paraqitja e ekipit në ndeshjen kundër Milanit.
“Ishte një spektakël i madh për futbollin italian, një ndeshje e mirë me shumë raste për shënim. Nuk mund të niste më mirë kampionati”, deklaroi Tare. Trajneri Edy Reja nuk ka raport të mirë me tifozët e klubit, por Tare thotë se strategu italian është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ekipin. “Ardhja e tij ka qenë vendimtare, ka nxjerrë ekipin nga një pozitë e vështirë dhe është duke u munduar të krijojë një grup të rëndësishëm”, përfundoi Tare.