E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maratona 15 vjeçare e Sokratit të Kabashit

Mirush Kabashi, ka 15 vite që ka nisur udhëtimin e tij, me “Apologjia e vërtetë e Sokratit’,  monodrama e parë në Teatrin Kombëtar Shqiptar.
Aktori Kabashi ishte takuar herët në skenë me Sokratin, por guximi për ta sjellë të plotë për më shumë se 60 minuta i vetëm përballë publikut erdhi si një revoltë individuale nxitur nga realiteti absurd që përjetonte Shqipëria në vitin 1997. 

Me armën e tij më të fortë, fjalën e lirë, Sokrati i Kabashit nisi maratonën e shfaqjeve për të ringjallur besimin tek të pashpresët. Atë vit kur në Teatrin Kombëtar ishin mbyllur dyert, veshur me “zhelet” e Ezopit të ikonës Kadri Roshi, artisti po “lindte” Sokratin e urtë e të mençur që do tu fliste shqiptarëve.   “Ishte një nga kënaqësitë më të mëdha që më ka falur karriera ime. Sokrati është babai i demokracisë, sistemit më të mirë të mundshëm që ka prodhuar mendja njerëzore. Ai është një pasqyrë e madhe që të paraqet me të gjitha të mirat e të këqiat e tua. Sokrati i shërben shoqërisë dhe është kritik i politikanëve. Sokrati ka ç’ti thojë edhe demokracive të konsoliduara perëndimore e jo më asaj shqiptare”, ka theksuar Mirush Kabashi për Top Channel.   Nga 22 qershori i vitit ‘97 e deri më sot, Sokrati ka thënë të vërtetat “thumbuese” në Shqipëri, Kosovë e botë rreth 130 herë në teatro, skena e salla prestigjoze.    Së fundmi, i ftuar në kuadër të aktiviteteve të festimeve të 100-vjetorit Sokrati shpotitës ka folur shqip në sallën plenare të OKB-së në Gjenevë për trupat diplomatike të të gjitha vendeve./Indeksonline/    

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›