E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maratona Rinore 2010 kthen Durrësin në kryeqytetin e rinisë

Në qytetin e Durrësit, Festivali i të Rinjve, i njohur ndryshe me emrin Maratona Rinore 2010 ka mbyllur dje edicionin e tij të radhës me një shfaqje finale. Gjatë këtij organizimi dje ishte i pranishëm edhe vetë ministri i TKRS, Ferdinand Xhaferraj, i cili u përshëndet në veçanti

me një këngë arbëreshe nga fituesit e kësaj maratone dhe këta të fundit morën nga ai një dhuratë simbolike. Ky eveniment i përvitshëm, një nga të vetmit e këtij lloji në Shqipëri e rajon, ka paraqitur dje në Durrës një shfaqje finale në teatrin Aleksandër Moisiu. Maratona Rinore është ideuar që të plotësojë më së miri kërkesat e të rinjve për tu aktivizuar në fusha të ndryshme të artit dhe të evidentojë talentet e reja. Gjatë edicioneve të kaluara festivali ka treguar se sa të nevojshme e kanë të rinjtë, të marrin pjesë në projekte të tilla. Një nga qëllimet e këtij festivali është edhe një pjesëmarrje e gjerë e të rinjve nga e gjithë Shqipëria dhe jo vetëm duke e shndërruar Durrësin në kryeqytetin e rinisë. Krahas të rinjve nga Durrësi, Tirana, Shkodra, Korça e shumë qytete të tjera, në Durrës do të vijnë edhe të tjerë nga Prishtina, Ulqini, Budva, Shkupi dhe Sofia duke realizuar kështu shkëmbime kulturash dhe eksperiencash rinore. Në festival të rinjtë konkurrojnë në gjini të ndryshme si këngë, kërcim modern, aerobi, etyd, skeç, pantomime, interpretim, valle popullore. Krahas grupeve të ftuara në festival do të veçonim, ansamblin e të rinjve Zdravets nga Bullgaria, orkestrën për kitarë Vihuela nga Prishtina, të cilët perfomuan live këngë qytetare shqiptare të përpunuara, trupën e kërcimit moder Rebis nga Shkupi, trupën profesioniste Stefan Ljubisa nga Budva si të ftuar special etj. Gjatë këtyre viteve kanë qenë me qindra të rinj pjesëmarrës, si dhe mijëra të tjerë spektatorë dhe telespektatorë. Këtë vit festivali u transmetua në Shqipëri, duke pasur Durrësin si kryeqytet të traditës dhe kulturës rinore. Ky aktivitet traditë organizohet nga Fondacioni Kulturor Bluepidamnus, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Raiffeisen Bank dhe Bashkinë Durrës.

Last Updated on E Enjte, 20 Maj 2010 19:48

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›