E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO redukton trupat e KFOR në Kosovvë, nga 10 mijë në 5 mijë

Përfaqësues të NATO kanë paralajmëruar për reduktim tjetër të mundshëm të trupave të KFOR në Kosovë. Sipas zyrtarëve të lartë të NATO, numri prej 10 mijë trupash, sa aktualisht shërbejnë në Kosovë, mund të zvogëlohet në 5 mijë sosh. Këtë proces,

ekspertët për çështje ushtarake dhe të sigurisë e shohin si një tranzicion gradual të kësaj force. Por, sipas tyre, zvogëlimi në 5 mijë pjesëtarë të KFOR, është i papërshtatshëm për situatën e sigurisë në Kosovë. Komandanti i NATO, admirali Xhejms Stavridis, tha se shpreson për reduktime të mëtejme të trupave në Kosovë këtë vit në saje të përmirësimit të gjendjes së sigurisë. Në një konferencë në Uashington, komandanti suprem i forcave të NATO, vlerësoi se situata në Ballkan nuk është e përsosur, por po shkon në drejtim të duhur. Unë do t'i reduktoj trupat atje nga 15 mijë në 10 mijë, dhe ndoshta në 5 mijë nga fundi i vitit, theksoi Stavridis. Duke përmendur ish-Jugosllavinë si shembull i suksesit të aleancës, Stavridis tha se NATO ka qenë pjesë e procesit që i ka çuar përpara që nga koha e gjakderdhjeve në luftërat ballkanike. Ndërsa, përfaqësues të mekanizmave të sigurisë së Kosovës theksojnë se reduktimi i KFOR është një sinjal se në Kosovë është përmirësuar situata e sigurisë, edhe eksperti i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu, shpreh mëdyshje për reduktimin e trupave në këtë masë. Eksperti Musliu thotë se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë pasi që autoritetet e sigurisë së Kosovës, ende nuk janë në nivel të duhur për ta ruajtur sigurinë. Nëse KFOR e redukton deri në atë numër forcën e vet, ajo do të thotë se është i përqendruar vetëm në ruajtjen e vijës kufitare të Kosovës gjë që është hipotetike. Për mua është një numër i vogël dhe hap i ngutshëm për arsye se institucionet kosovare, sidomos Policia e Kosovës në resurse njerëzore, numerikisht është ende e mangët, u shpreh ai, për të shtuar se e dyta është një pjesë e KFOR, e cila bën përcjelljen dhe trajnimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila ende nuk është në nivelin garantuese e kufijve, qetësisë dhe rendit në Kosovë. Musliu shton se zvogëlimi i numrit të trupave të KFOR-it në Kosovë, mund të kuptohet edhe si sinjal që institucionet e Kosovës të punojnë më shumë në drejtim të forcimit të autoriteteve të rendit. Në një mënyrë, ky reduktim mund të kuptohet edhe si shtytje institucioneve të Kosovës, si dërgim sinjali, i cili na bën me dije që ne duhet të punojmë më shpejt në ngritjen e kapaciteteve tona të sigurisë, thekson Musliu. NATO vlerëson në vazhdimësi gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe mbi këtë bazë vendos për shkurtimin e trupave të KFOR. Së fundi, komandantët e NATO kanë deklaruar se reduktimi i mëtejmë i trupave në Kosovë, këtë vit, mund të vijë në saje të përmirësimit të gjendjes së sigurisë. Gjeneralët e NATO në Uashington kanë pohuar se situata në Ballkan nuk është e përsosur, por, sipas tyre, ajo po shkon në drejtim të duhur.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›