Marco Carta, fituesi i Sanremos
Marco Carta është fituesi i sivjetshëm i Sanremos. Këngëtari i ri ka konkurruar në edicionin e 59-të me këngën "Forca e jetës". Në një nga festivalet tradicionale të këngës italiane, ai mori pjesë tashmë i njohur si fitues i "Amici" të Maria de Filipit, e cila ishte e pranishme edhe në natën finale. "Ishte bukur ta shihja Marien të pranishme gjatë fitores sime të dytë", ka komentuar Marco pas fitores. "Jam shumë i lumtur, nuk e prisja. Kur pashë që kishim mbetur vetëm tre, atëherë fillova ta mendoja", ka vazhduar më tej ai. Marco Carta është këngëtari më i ri i festivalit të këtij viti dhe u prezantua me këngën e Paolo Carta-s. Në edicionin e 59-të të festivalit prestigjioz italian, ai erdhi si fitues i spektaklit "Amici" në vitin 2008 dhe publikimit të dy këngëve, me të cilat shiti rreth 100 mijë kopje. I lindur në vitin 1985 në Kaljari, Marco e nisi karrierën si këngëtar në pub-e nate, por më pas punoi si parukier. Do të duhej të vinte viti 2007 që ai të pranohej në "Amici", ku tregoi gjithë talentin e tij dhe arriti të fitojë pak muaj më pas me 65% të preferencave. Ndërkohë, e ftuara speciale e mbrëmjes finale ka qenë Maria De Filipi, e cila theu tabunë, duke shkelur për herë të parë në një skenë të televizionit "Rai" dhe duke dhuruar shumë surpriza në teatrin "Ariston". "Tashmë dua të nis një tur koncertor. Do të më pëlqente të afirmohesha këtu në Itali, por do të më pëlqente gjithashtu që të më promovonin edhe jashtë", është shprehur më tej Marco. Vendin e dytë të klasifikimit e arriti Povia me "Luka ishte gay", i ndjekur nga Sal da Vinci me "Nuk arrij të dashurohem".