E Diel, 1 Nëntor 2026

Luk Kaçaj, kujtimi i një legjende

Thonë se kur ai hyri në sallën e "La Scala"-s të gjithë u ngritën në këmbë për ta duartrokitur, për ta nderuar. Dhe ai habitej, si mund ta njohin atje, në atë sallë të ëndërruar! Ndërkohë që në Shqipëri shumë pak e njihnin, apo e njohin. Luk Kaçaj ishte një nga ata zëra që rrallë ndodh të vijnë. Ndonëse tashmë ka mbetur një kujtim, ata që e kanë njohur, apo vetëm adhuruar, kanë vendosur ta nderojnë. Sot, për nder të tij do të organizohet një koncert në sallën e Akademisë së Arteve në Tiranë. Në skenë do të ngjiten disa nga veprat më të mëdha artistike. Në këtë koncert, me udhëheqës artistik Burhan Spahiun, do të ngjiten vepra të autorëve më të mëdhenj botërorë, si arie nga "Traviata" e Verdit, "Tosca" e Puçinit, "Orfeu dhe Euridice" nga Gluck etj. Një tjetër nderim i vjen pas vdekjes nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili i jep dekoratën "Nderi i Kombit". Gjatë koncertit, miq dhe dashamirës të Luk Kaçajt, si Sokol Shupo, Milto Vako, Spartak Ngjela etj., do të sjellin për të pranishmit momente të ndryshme të jetës së artistit të madh. Luk Kaçaj u lind më 19 korrik të vitit 1926, në Bajzë të Malësisë së Madhe dhe vdiq më 7 shtator të 2001-shit në Laç. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Gjimnazin e Jezuitëve në Shkodër, me mësues padre M.Gjoka dhe që në këtë kohë ai shfaqi dhunti të pazakonta muzikore. "Nga një copë fushë mes malesh, nga Bajza e Kastratit, do të zbriste edhe Luk Kaçaj për në shkollën e etërve dhe falë zërit të tij do të bëhej pjesë e korit të At Filip Mazrekut, At Martin Gjokës e Prenkë Jakovës, së bashku me ata emra që e themeluan muzikën shqiptare si Çesk Zadeja, Simon Gjoni, Tonin Harapi, Tish Daija etj. Mësuesit françeskanë, metaforikisht malin po e afronin me detin në një shkollë qytetase, e thënë kjo me gjuhën e Koliqit. Luk Kaçaj ra në sy vrullshëm dhe u dërgua të studionte në konservatorin ‘Çajkovski‘, ku shkëlqeu në mënyrë të pakrahasueshme në skena të ndryshme të botës. Shumë herët iu desh të mbante barrën e krahasimit me të madhin Shaljapin, ose ‘Albanskij Shaljapin‘. Muzika e varfër shqiptare duket e kishte të vështirë ta kapërdinte këtë kafshatë të madhe. Në kursin e Belkantos spikaste shqiptari Luk Kaçaj, bullgari Kola Giaurov dhe rusi Sasha Vedernikov", shkruan për të Agron Gjekmarkaj. Pas çlirimit, në vitet 1947-1950, punon në Korin e Përgjithshëm të Shtetit dhe në Ansamblin e Ushtrisë si solist dhe si korist. Në vitin 1950-‘55 kryen studimet e larta për kanto pranë Konservatorit P.I. Tchaikowsky, në Moskë dhe që në atë vit emërohet solist në TOB. Ndërkaq, që në kohën e studimeve Kaçaj ishte aktivizuar dhe në disa aktivitete ndërkombëtare, duke marrë edhe çmime. Në TOB realizon mjeshtërisht role të paharruara nga operat shqiptare dhe botërore, duke u bërë një ndër artistët më të njohur e të preferuar në Shqipëri. Në vitin 1966 emërohet pedagog i kantos në Institutin e Lartë të Arteve dhe jep kontributin e tij të çmuar në përgatitjen e brezit të ri të këngëtarëve. Kjo karrierë ndërpritet në vitin 1973, kur Luk Kaçaj burgoset nga regjimi i asaj kohe. Del nga burgu në vitin 1991 dhe vazhdon të aktivizohet në jetën muzikore shqiptare.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›